Ndërlidhjet

Dhjetëra të vrarë nga një shpërthim në Pakistan


Ilustrim
Ilustrim

Zyrtarët pakistanezë kanë thënë se nga shpërthimi i një bombe, që goditi konvojin e një ligjvënësi, i cili po udhëtonte në provincën Baloçistan, janë vrarë të paktën 25 persona dhe janë plagosur mbi 30 të tjerë.

Zëvendëskryetari i Senatit, Maulana Abdul Ghafoor Haider u ka thënë gazetarëve se ai ka pësuar lëndime të lehta trupore nga shpërthimi.

Zyrtari shëndetësor, Sher Ahmet Satakzai, ka thënë se të paktën 25 persona janë vrarë dhe 10 të tjerë janë në gjendje kritike.

Askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, i cili ndodhi në qarkun Mastung, kur konvoji po dilte nga një xhami.

“Jam gjallë, Allahu ma shpëtoi jetën. Shpërthimi ndodhi papritur, copëzat e xhamave më goditën, jam lënduar por kam shpëtuar”, ka thënë Haideri për televizionin privat SAMAA.

“Shoferi dhe pasagjerët e tjerë që ishin ulur afër meje janë lënduar rëndë”, ka treguar ai.

Zyrtari policor, Mohamed Akbar ka thënë se dhjetëra persona janë lënduar dhe që të gjithë janë dërguar për trajtim në spitalin kryesor në Mastung.

Zyrtari policor në Mastung, Ghazanfar Ali Shah ka thënë se konvoji duket se është sulmuar nga një sulmues vetëvrasës.

Sidoqoftë, zëdhënësi i qeverisë, Anëarul Haq Kakar, ka thënë se shpërthimi ka ndodhur nga një bombë që ishte vendosur në rrugë. Ai ka treguar se nga shpërthimi janë lënduar disa anëtarë të partisë Jamiat Ulema-e-Islam, të cilës i takon Haideri.

Lideri i kësaj partie, Maulana Fazlur Reham është i njohur si pro talibanëve dhe kundërshton qëndrimet e SHBA-së.

XS
SM
MD
LG