Ndërlidhjet

PDK-AAK-Nisma në koalicion parazgjedhor përballë koalicionit LDK-AKR


Ilustrim

Partia Demokratike e Kosovës ka përmbyllur, në minutat e fundit të afatit për regjistrim të koalicioneve, një marrëveshje koalicioni me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt dhe Nismën për Kosovën të Fatmir Limajt.

Koalicioni i tri partive politike u zyrtarizua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në minutën e fundit të afatit zyrtar për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore, kanë njoftuar zyrtarë të Komisionit, pak kohë pas mesnatës të së martes.

Marrëveshja tre palëshe, sipas zyrtarëve të tyre, parasheh që kandidat për kryeministër ta ketë liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn, ndërkohë që bartës i listës zgjedhore do të jetë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Tri partitë arritën marrëveshjen e koalicionit pak orë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës nënshkroi marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor me Aleancën Kosova e Re të zotit Behgjet Pacolli dhe me nismën e regjistruar si Alternativa të ryetares aktuale të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila dhe deputetit Ilir Deda.

Zyrtarë të AAK-së në një konferencë me gazetarë, pas mesnate, thanë se “koalicioni PDK-AAK-Nisma është i imponuar bazuar në rrethanat e krijuara pas koalicioneve të tjera”.

Më herët gjatë ditës LDK njoftoi se ka vendosur që kandidat të saj për kryeminstër ta ketë ministrin e financave, në largim, Avdullah Hotin.

Partia që do të garojë e vetme në zgjedhje është Lëvizja Vetëvendosje e cila nuk ka arritur të bëjë një koalicion parazgjedhor përkundër bisedave intensivet zhvilluara gjatë ditëve të kaluara.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 Qershorit, sipas njoftimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të garojnë 56 subjekte politike nga të cilat 28 janë shqiptare dhe te tjerat nga komunitetet pakicë.

Një koalicion i partive politike serbe është regjistruar ndërkohë që janë regjistruar edhe dy subjekte politike që kanë dalë nga ndarja e Listës Serbe, njëra e udhëhequr nga Slavko Simiq dhe tjetra nga Aleksandar Jabllanoviq.

Sipas shënimeve zyrtare Kosova ka afro 1.9 milionë votues dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë të nis nga data, 29 maj dhe të mbyllet më 9 qershor.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasojnë rrëzimin e qeverisë së koalicionit LDK-PDK, në një mocion mosbesimi të ngritur nga partitë në opozitë por të mbështetur edhe nga deputetët e Partisë Demokratike në pushtet.

NJë ditë pas shpërbërjes së Kuvendit, që pasoi rënien e qeverisë, Presidenti Hashim Thaçi, pas konsultave me partitë politike parlamentare të cilat i bojkotoi LDK,mori vendimin për të shpallur 11 qershorin ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.(REL)

XS
SM
MD
LG