Ndërlidhjet

Koalicionet, profilizim i skenës politike apo ‘frikë’ nga humbja e zgjedhjeve


Fotografi nga arkivi

Krijimi i dy blloqeve të mëdha në Kosovë thuhet të jetë një përgjigje ndaj sistemit zgjedhor i cili favorizon një koalicion parazgjedhor, të cilit i mundësohet marrja e mandatit qeverisës, thonë njohës të rrethanave politike në Kosovë.

Sipas tyre, blloqet e krijuara së fundmi përmes koalicioneve parazgjedhore nuk e bëjnë ndarjen ideologjike të partive, përmes profilizmit të tyre në parti të majta ose të djathta, por ajo tregon për një qasje ad-hoc të partive në prag të zgjedhjeve të parakohshme.

Në mesnatën e së martës, një koalicion i madh zgjedhor ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën u zyrtarizua pak orë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës lidhi marrëveshje koalicioni me Aleancën Kosova e Re të Behgjet Pacollit dhe nismën Alternativa të Mimoza Kusari-Lilës.

Koalicionet parazgjedhore u panë si përpjekje për të profilizuar skenën politike në vend, por që sipas analistëve zgjedhja në momentin e fundit erdhi për shkak të, siç thanë, ‘frikës së humbjes së zgjedhjeve’.

Analisti politik Shkelzen Maliqi tha për Radion Evropa e Lirë se partitë në Kosovë nuk janë të profilizuara por kryesisht të ndara në aspekte rajonale.

"Ne jemi ende në faza të hershme të krijimit të sistemit demokratik dhe të gjitha partitë janë duke mësuar rregullat e sjelljet. Të gjitha partitë para disa ditësh u deklaruan se kanë vija të kuqe por tash e pamë se ato vija u tejkaluan", tha Maliqi.

Maliqi tha se këto koalicione janë formuar për të vetmin qëllim, që sa më lehtë të shkohet drejt pushteti dhe marrjes së pozitave.

"Ky është bashkim i interesit ose që të plasohen sa më mirë në zgjedhje dhe qëllimi tjetër është që të vijnë në pushtet", u shpreh Maliqi.

Aktualisht e vetmja parti që nuk ka arritur asnjë koalicion parazgjedhor është Lëvizja Vetëvendosje, megjithëse edhe partitë politike të komuniteteve nuk kanë shfaqur gatishmërinë që të lidhin koalicione mes vete.

Analistët politikë konsiderojnë se lidhja e koalicioneve të mëdha është pasojë e agjendave politike të Kosovës, që sipas tyre vazhdojnë të jenë komplekse.

Avni Mazreku, njohës i rrethanave politike dhe profesor i së Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në Kosovë nuk ka një profilizim të qartë të partive politike dhe ato me programe janë shumë të ngjashme dhe shpesh herë bien në kundërshtim më deklarimin e tyre politik.

"Në Kosovë kemi pasur parti politike të deklaruar si të djathta të qendrës, e që në të njëjtën kohë ato kanë folur kundër privatizimit, kanë fol për një sistem publik arsimor esencial, kanë fol për një sistem publik shëndetësor, që në fakt këto i bie të jenë politika të majta. Historia e partive politike të Kosovës, pas luftës, ka qenë goxha komplekse në raport me rrethanat në të cilat ka kaluar Kosova", tha Mazreku.

Ai thotë se krijimi i koalicioneve të reja për zgjedhje, i orientuar në blloqe politike partiake, është një hap para në funksion të ‘profilizimit të qartë të partive politike’.

"Mendoj se është i shëndetshëm për Kosovën një sistem i qartë politik i cili e thjeshtëson skenën politike. Po ashtu ,eksperienca e historia jonë e shkurtër në skenën politike ka treguar që jo rrallë jeta parlamentare në Kosovë ka qenë e bllokuar si rezultat i sistemit politik parlamentar që e kemi. Normalisht, kjo në të ardhmen mund të përcillet me vendime përkatëse ligjore, që vendimmarrja politike të jetë më e thjeshtë", tha Mazreku.

Ai ka shtuar se në gjendjen në të cilën kanë ardhur partitë politike e kanë determinuar një qasje më gjithëpërfshirëse politike, duke pasur për bazë që agjenda e politike dhe e shtetformimit të Kosovës është komplekse si në rrafshin e brendshme po ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Analistët thonë se partitë politike duhet t’i identifikojnë disa çështje kryesore për të cilat angazhohen dhe në ato qëllime edhe të synojnë t’i sigurojnë mbështetësit dhe votat e tyre.

Kosova hyn në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 qershor pas rënies së Qeverisë nga një mocion mosbesimi në Kuvend dhe shpërbërsjes së institucionit ligjvënës. (REL)

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG