Ndërlidhjet

Pjesëtarët e komunitetit homoseksual, lesbike, biseksual apo transgjinor thonë se jeta e tyre është e vështirë për shkak të diskriminimit fillimisht në familje, ku përjetojnë siç thonë ata edhe dhunë fizike e psikike.

Kosova është vendi me homofobinë më të madhe në gjithë rajonin e Ballkanit, thanë oragnizatat për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit, në Ditën ndërkombëtare kundër homofobisë.

Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), ka bërë publik një raport sipas të cilit vetëm 3 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se do ta pranonin fëmijën si anëtar të komunitetit LGBT, derisa 97 për qind, kanë thënë se nuk do t’i lejonin të jetojnë në shtëpi anëtarët e këtij komuniteti.

Të anketuarit thonë se do të merrnin masa do të ushtronin dhunë ose do t’i kishin, siç thonë, ‘’shëruar’’.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me njërin nga anëtarët e komunitetit LGBT, i cili tha se ‘familja është pengesa fillestare për të jetuar një jetë normale’.

Adonisi (emri origjinal i njohur për redaksinë), thotë se mungesa e informatave të duhura për orientimet seksuale, ka bërë që Kosova të ketë një shoqëri të mbyllur.

"Vështirësia e parë është familja. Problemet e para fillojnë në familje. Mos-qasja në informata ka bërë që si shoqëri të jemi jo mendjehapur. Jo vetëm unë, por shumë anëtarë të komunitetit LGBT ballafaqohemi me vështirësi nëse vendosim të flasim hapur me familjet".

"Shumica janë larguar nga shtëpia, ku është përdorur dhunë fizike dhe psikike. Mendoj se ka ardhur koha që tjetri të mos ketë të drejtën të ndërhyjë në jetën e tjetrit. Nëse brenda familjes nuk ofrohet mbështetje, vështirësitë janë edhe më të mëdha, në shoqëri institutcione etj”, tha ai.

Në Kosovë janë tri organizata që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBTI. Ato kanë ngritur kapacitetet e veta që t’u ofrojnë ndihmë ligjore, në rast të shkeljes së të drejtave pjesëtarëve të këtij komuniteti.

Organizatat ofrojnë ndihmë ligjore, pra avokat falas, por edhe ndihmat psikosociale.

Agim Margilaj, nga ‘’Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore’’ ka thënë se motoja e këtij viti në ditën ndërkombëtare kundër homofobisë është ‘’Dashuria e bën familjen’’.

Kjo për shkak se problemet më të mëdha komuniteti LGBTI i ka në familje që ‘nuk janë në gjendje ta kuptojnë drejtë orientimin seksual të secilit njeri'.​

"Nëse nisemi nga aspekti institucional, zbatimi i ligjit është një prej sfidave më të mëdha në Kosovë. Nga aspekti social, barriera e parë është familja. Pjesëtarë të komunitetit LGBT detyrohen të jetojnë jetë të dyfishtë, të martohen të krijojnë familje, për shkak të dhunës fizike e psikike nga familja”.

Sociologët në vend thonë se dhuna në familje tek personat LGBT është e shprehur për shkak të vetëdijes së ulët të anëtarëve të familjes për t’i pranuar personat të cilët kanë një orientim të caktuar seksual.

Sibel Halimi sociologe, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e vendit bëjnë shumë pak për këtë kategori të shoqërisë.

"Në momentin kur nuk ka informim tek familjet edhe paragjykimet ndaj këtij komuniteti janë shumë të larta. As institucionet nuk kanë bërë mjaft për të informuar që ky komunitet është i barabartë me kategori të tjera shoqërore".

"Aq më keq në legjislacionin që lidhet me dhunën në familje, shumë pak kjo çështje është promovuar nga Qeveria dhe mendoj se është shumë e nevojshme që institucionet relevante që merren me dhunën në familje, ta parandalojnë këtë dukuri tek personat e komunitetit LGBT”.

Sidoqoftë, organizatat që sigurojnë mbrojtje për pjesëtarët e komunitetit LGBTI në Kosovë, thonë se institucionet publike duhet të kenë dhe zhvillojnë plane të veprimit për të promovuar respektin dhe integrimin e këtij komuniteti, nisur nga garancitë që janë dhënë për një gjë të këtillë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Zyra për Qeverisje të Mirë në zyrën e kryeministrit të Kosovës ka ripërsëritur qëndrimin se megjithëse Kosova ka shënuar përparime në respektimin e të drejtave të komunitetit LGBTI, problemet mbeten ende të shumta. (REL)

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG