Ndërlidhjet

Strategjia e re e Pentagonit synon “asgjësimin” e militantëve të IS-it

  • RFE /RL

James Mattis

Pentagoni ka ndryshuar fokusin në betejën kundër grupit militant, Shteti Islamik, dhe tani po synon që të “asgjësojë” luftëtarët e huaj të grupit, në mënyrë që ata të mos mund të kthehen në shtëpitë e tyre në Perëndim, ka thënë sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis.

“Presidenti Donald Trump ka urdhëruar Departamentin e Mbrojtjes që të udhëheqë të gjitha departamentet për të shqyrtuar një fushatë gjithëpërfshirëse kundër IS-it. Ne e dorëzuam atë raport pas shqyrtimit të tij, dhe më pas ai urdhëroi një operacion të përshpejtuar kundër IS-it. Kjo do të thotë, se do të jenë dy ndryshime të rëndësishme që rezultojnë nga rishikimi i gjetjeve tona dhe nga shqyrtimi i presidentit Trump”.

“Së pari ai delegoi autoritetin në nivelin e duhur për të vepruar në mënyrë agresive dhe në kohën e duhur ndaj dobësive të armikut dhe së dyti ai urdhëroi një ndryshim taktik, nga goditja ndaj IS-i, në një luftë duke rrethuar bastionet e tyre në mënyrë që të mund ta asgjësojmë IS-in”, ka deklaruar Mattis.

Pentagoni beson se një strategji e tillë do të ulë sulmet terroriste, të tilla siç kanë ndodhur në Paris, Belgjikë dhe vende të tjera, që janë kryer nga militantët e IS-it dhe simpatizantët e këtij grupi, ku janë vrarë qindra persona.

“Dua të theksoj se nuk ka ndryshim mbi rregullat tona të angazhimit dhe nuk ka ndryshime në përpjekjet tona të vazhdueshme për të shmangur viktimat e pafajshme civile”, ka theksuar Mattis.

Ai ka thënë se ndryshimi i strategjisë bëhet me qëllim që të “parandalojmë që luftëtarët e huaj që ikin nga betejat, të rikthehen në shtëpi. Luftëtarët e huaj janë kërcënim, prandaj duke i rrethuar ata dhe më pas duke i sulmuar, ne e kryejmë fushatën tonë të asgjësimit dhe në këtë mënyrë parandalojmë që problemi të zhvendoset në një lokacion tjetër”, ka thënë sekretari i Mbrojtjes.

Edhe pse IS-i ka humbur 55 për qind të territorit, që dikur ka pasur nën kontroll në Irak dhe Siri, dhe mbi 4 milionë njerëz janë çliruar nga zonat që ata kanë pasur nën kontroll, shumë punë mbetet për t’u bërë me qëllim që militantët të largohen nga Mosuli, që është bastioni i grupit në veri të Irakut.

Për më tepër, beteja për të çliruar qytetin Raka, që është kryeqyteti i vetëshpallur nga grupi militant, mezi ka filluar.

Me qëllim që të vazhdojë “fushatën e asgjësimit”, Trump mori një vendim këtë muaj, për të furnizuar me armë forcat kurde në Siri, të cilët janë aleatët kryesor të SHBA-së në luftën kundër IS-it. Ky vendim shkaktoi zemërim në Turqi, e cila i konsideron forcat kurde si “terroristë”.

Vendimi i Pentagonit për të rrethuar IS-in në Siri, gjithashtu duket se i ka kontribuar një incidenti që ndodhi këtë javë, ku forcat amerikane bombarduan një konvoj që bartte sirianë dhe forcat e milicisë të mbështetura nga Irani, që janë të angazhuar në luftën civile në Siri. Nga ky sulm u vranë tetë luftëtarë.

Gjenerali i marinës, Joseph Dunford, të cilin Trumpi e ka riemëruar kryetar të shefave të Shtabit të Përgjithshëm, ka thënë se Pentagoni i ka bërë një propozim Rusisë që të përpiqet t’i shmangë konfliktet në të ardhmen, në zonat ku të dy vendet veprojnë.

“Ne kemi një propozim dhe tani jemi duke punuar me rusët”, ka thënë Dunford, duke shtuar se : “Nuk do të ndaj detaje, por për mendimin tim, rusët janë po aq entuziastë sa ne, që të vazhdojmë të ndërmarrim sulme ndaj IS-it dhe të sigurohemi që personeli ynë të jetë i sigurt”.

Rusia kishte reaguar ashpër ndaj sulmit ajror të SHBA-së ndaj forcave siriane dhe atyre që mbështeten nga Irani, pranë qytetit Al-Tanf që gjendet në afërsi të kufirit me Jordaninë, duke e quajtur sulm të “paligjshëm” dhe një “shkelje flagrante të sovranitetit të Sirisë”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG