Ndërlidhjet

Mbreti saudit thotë se vizita e Trumpit do të forcojë bashkëpunimin mes dy shteteve


Mbreti i Arabisë Saudite thotë se vizita e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do të forcojë bashkëpunimin në mes të dy vendeve dhe do të ndihmojë në rritjen e sigurisë globale.

“Zoti President, vizita juaj do të forcojë bashkëpunimin tonë strategjik, që çon në siguri globale dhe stabilitet”, ka shkruar në Twitter, Mbreti Salman, teksa Trump ka nisur vizitën e tij në Rijad.

Më vonë, Mbreti Salman bin Abdulaziz al-Saud e ka nderuar presidentin Trump me medaljen më të lartë të shtetit për “përpjekjen e tij për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe në mbarë botën”.

Marrëdhëniet dypalëshe kanë qenë të tensionuara gjatë administratës së presidentit Barack Obama, për shkak të afrimit me Iranin, rivalit kryesor të Arabisë Saudite.

Megjithatë, Trump ka qenë një kritikë i madh i marrëveshjes bërthamore të nënshkruar në mes të Iranit dhe fuqive botërore më 2015.

Pritet që gjatë kësaj vizite të presidentit Trump të nënshkruhen marrëveshje multimilardëshe në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite.

Më 21 maj, presidenti Trump pritet që të mbajë fjalim në një samit rajonal, që organizohet në Rijad, që pritet të ketë në fokus luftimin e grupeve ekstremiste.

Trump në këtë vizitë po shoqërohet nga Zonja e Parë, Maelania Trump dhe disa zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë.

Turneu i parë jashtë vendit i Trumpit, që do të zgjasë 8 ditë, përfshinë edhe vizitat në Izrael, në territoret palestineze, Bruksel, Vatikan dhe Itali.

Administrata Trump shpreson se me këto vizita do të forcohen marrëdhëniet mes SHBA-së dhe aleatë kyç, veçanërisht të atyre në Lindjen e Mesme.

XS
SM
MD
LG