Ndërlidhjet

Mosul: Territori i IS-it po ngushtohet; priten luftime të ashpra


Gazetarët në Irak duke u mbrojtur pas shpërthimit të një makine bombë në luftimet ndërmjet forcave irakiane dhe militantëve të IS-it.
Gazetarët në Irak duke u mbrojtur pas shpërthimit të një makine bombë në luftimet ndërmjet forcave irakiane dhe militantëve të IS-it.

Zyrtarët ushtarakë të Irakut thonë se territori nën kontroll të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), në pjesën perëndimore të Mosulit, është reduktuar në tetë kilometra katrorë, por në këtë hapësirë gjendet edhe Qyteti i Vjetër, ku duket se do të ketë luftime tejet të ashpra.

Forcat speciale irakiane të shtunën kanë raportuar se e kanë marrë kontrollin ndaj një territori, i cili ishte caktuar për ta, por kanë theksuar se janë të gatshëm “ta mbështesin secilën forcë tjetër nëse kjo urdhërohet nga kryeministri”.

Në raportet lokale thuhet se grupi ekstremist, Shteti Islamik, tash po mbahet në tri lagje, Al-Shafaa, Al-Zinjiji dhe Qyteti i Vjetër, i përmendur më herët.

Këto lagje gjenden përgjatë bregut perëndimor të lumit Tigër.

Ofensiva aktuale e forcave të sigurisë synon marrjen e kontrollit në Qytetin e Vjetër, i banuar me numër të madh të njerëzve, ku vlerësohet se gjenden afro 500 luftëtarë të Shtetit Islamik, që civilët i përdorin si mburojë e gjallë.

Në Qytetin e Vjetër gjendet xhamia, ku lideri i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, e ka shpallur të ashtuquajturin kalifat në vitin 2014.

Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Aman të Jordanisë, presidenti i Irakut, Fuad Masum, tha se shpreson se Mosuli do të çlirohet plotësisht “gjatë pak ditëve të ardhshme”.

Forcat irakiane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara dhe koalicioni ajror, në muajin tetor të vitit të kaluar, e kanë filluar betejën për çlirimin e Mosulit, që është baza e fundit e fuqishme e ekstremistëve të Shtetit Islamik në Irak.

Pjesa lindore e këtij qyteti është marrë më herët gjatë vitit 2017, por ushtarët irakianë kanë hasur në rezistencë të fuqishme në pjesën perëndimore të Mosulit, me popullatë të dendur.

Luftëtarët e Shtetit Islamik e morën kontrollin në Mosul në vitin 2014, në periudhën kur okuponin territore të gjëra në Irak dhe Siri, gjatë luftërave kundër trupave qeveritare të Irakut.

Megjithatë, forcat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kanë arritur fitore madhore kundër grupit ekstremist, si në Mosul ashtu edhe në Raka, që është baza e fundit e Shtetit Islamik në Siri.

Kombet e Bashkuara para disa ditësh thanë se afro 200 mijë njerëz mund të largohen nga Mosuli derisa luftimet rreth qytetit po intensifikohen.

“Numri i njerëzve që po lëvizin tash është shumë i madh dhe po bëhet gjithnjë e më vështirë që civilët të marrin ndihmë dhe mbrojtje që u nevojitet”, tha koordinatorja humanitare e Kombeve të Bashkuara, Lise Grande.

Megjithatë, përkundër pretendimeve të avancimeve të forcave të sigurisë së qeverisë së Irakut në Mosul, nga dy sulme me bomba në pjesë të tjera të Irakut, për të cilat përgjegjësinë e ka marrë Shteti Islamik, janë vrarë së paku 27 vetë.

Më 19 maj, afër qytetit Basra, që është i pasur me naftë, një sulmues vetëvrasës i ka vrarë së paku tetë vetë, pesë civilë dhe tre ushtarë, dhe i ka plagosur 41 të tjerë, ka thënë një komandant lokal ushtarak.

Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për sulm dhe ka shpjeguar se i ka marrë në shënjestër shiitët.

Grupi ekstremist, Shteti Islamik, po ashtu, e ka marrë përgjegjësinë për dy sulme vetëvrasëse me bomba në kryeqytetin Bagdad, me ç’rast janë vrarë 19 vetë dhe plagosur 33 të tjerë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG