Ndërlidhjet

Identifikohet sulmuesi i dyshuar i Mançesterit

  • RFE /RL

Autoritetet britanike e identifikuan sulmuesin e dyshuar të Mançesterit si Salman Abedi.

Gazeta The Telegraph, duke cituar zyrtarë amerikanë, tha se Abedi ka lindur në Mançester më 1994. Prindërit e tij kanë shkuar në Angli si refugjatë nga Libia.

Policia e Mançesterit bëri të ditur se 22 veta janë vrarë dhe 59 janë plagosur në sulmin vetëvrasës, që ndodhi të hënën rreth orës 22:35, sipas kohës lokale, disa minuta pasi këngëtarja amerikane, Ariana Grande, përfundoi koncertin në sallen Mançester Arena.

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, tha më herët se “nuk ka dyshim” se sulmi në Mançester është “terrorist”.

“Ky është në mesin e incidenteve më të rënda terroriste që kemi përjetuar në Mbretërinë e Bashkuar. Edhe pse nuk është hera e parë që Mançesteri vuan në këtë mënyrë, ai është sulmi më i keq në këtë qytet dhe më i keqi në veri të Anglisë”, tha May.

Grupi militant Shteti Islamik e mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se një prej pjesëtarëve të tij e ka kryer atë. Mbështetësit e organizatës ekstremiste festuan online.

Policia tha se ka arrestuar një 23-vjeçar në Mançesterin Jugor, që dyshohet se ka lidhje me sulmin.

Kryeministrja May tha se shërbimet e sigurisë “janë duke punuar me shpejtësi për të pasur një pamje më të qartë”.

“Policia dhe shërbimet e sigurisë besojnë se sulmi është kryer nga një person, por ata duhet të dinë nëse ai ka vepruar i vetëm apo është pjesë e ndonjë grupi më të gjerë. Do të duhet ca kohë për t’i siguruar këto fakte dhe hetimet do të vazhdojnë”, tha May.

Ajo theksoi se “në mesin e të vrarëve dhe të plagosurve ka shumë fëmijë dhe të rinj”. Një 8-vjeçare e vrarë u identifikua si Saffie Roussos.

Mbretëresha Elizabeth shprehu “keqardhje të thellë” për të gjithë të prekurit nga fatkeqësia dhe tha se “i gjithë kombi është tronditur nga vdekjet dhe plagosjet”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se sulmi është kryer nga “humbës të këqij”.

Duke folur nga Betlehemi, Trump tha se sulmi “goditi fëmijë të pafajshëm”.

Ai po ashtu tha se “kombet e civilizuara duhet të bashkohen për të mbrojtur jetët e njerëzve” dhe se “kjo ideologji e ligë duhet të zhduket”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, shprehu “pikëllimin dhe tmerrin” e saj, duke thënë se Gjermania do të qëndrojë me Britaninë në luftën kundër terrorizmit.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u shpreh po ashtu “i tmerruar” dhe tha se do të bisedojë me kryeministren britanike për këtë “mizori”.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se “është i trishtuar dhe i tronditur” nga “sulmi brutal”.

Në një deklaratë të Kremlinit thuhet se presidenti rus, Vladimir Putin, e dënonn fuqishëm këtë “krim cinik dhe çnjerëzor”.

Në një video të shfaqur nga rrjeti televiziv Sky News dëgjohet shpërthimi brenda sallës ku është mbajtur koncerti i këngëtares Grande.

Sot, para mesditës, policia britanike evakuoi qendrën tregtare Arndale në Mançester, pasi dëshmitarët thanë se kanë dëgjuar një “zhurmë të madhe”.

Qendra tregtare u rihap brenda një ore dhe raportohet për një person të arrestuar në lidhje me këtë rast.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG