Ndërlidhjet

Senati holandez mbështet marrëveshjen BE-Ukrainë


Ilustrim

Senati holandez ka votuar sot në favor të Marrëveshjes së Asociimit të Bashkimit Evropian me Ukrainën, duke hapur rrugën për ratifikimin e marrëveshjes midis BE-së dhe Kievit. Marrëveshja vlerësohet si qenësore për fuqizimin e marrëdhënieve ndrmjet Brukselit dhe Kievit.

Kjo votë shënon njërën nga fazat finale pas një rruge të gjatë për marrëveshjen historike, e cila fillimisht ishte planifikuar për nënshkrim në nëntor të vitit 2013.

Parlamenti holandez ka përkrahur marrëveshjen përmes votës para zgjedhjeve parlamentare të 15 marsit, dhe mbreti Willem-Alexander pritet ta nënshkruajë atë gjatë ditëve në vijim.

Diplomatët evropianë, duke folur në kushte anonimiteti i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se marrëveshja mund të ratifikohet gjatë samitit BE-Ukrainë i cili do të mbahet në korrik dhe mund të hyjë në fuqi në fillim të vjeshtës.

Holanda është shteti i vetëm i Bashkimit Evropian që ende nuk e ka miratuar marrëveshjen me Ukrainën. Fati i saj ishte i paqartë pasi 61 për qind e votuesve holandezë e kundërshtuan marrëveshjen në një referendum të shtyrë nga vetë qytetarët në prill të vitit 2016. Referendumi s’pati zbatueshmëri ligjore.

Qeveria holandeze lehtësoi shqetësimet e votuesve në dhjetor përmes një shtojce ligjërisht të detyrueshme në Marrëveshjen e Asociimit, e cila nënvizon se nuk do t'i japë Kievit të drejtën për anëtarësim automatik në BE apo të garantojë ndonjë ndihmë ushtarake të BE-së për Ukrainën.

XS
SM
MD
LG