Ndërlidhjet

Reagime të ashpra pas tërheqjes së SHBA-së nga Marrëveshja për Klimën

  • RFE /RL

Presidenti Donald Trump

Aleatët dhe rivalët e Shteteve të Bashkuara e dënuan vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump për t'u tërhequr nga marrëveshja klimatike e Parisit, duke hedhur poshtë ofertën e tij për të rinegociuar marrëveshjen.

"Ne jemi të bindur se marrëveshja nuk mund të rinegociohet", kanë thënë udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë në një deklaratë të përbashkët ku thuhet se vendimi i Trumpit është për "keqardhje". Me anë të kësaj deklarate këto vende i kanë bërë thirrje dhe vendeve të tjera të botës "të përshpejtojnë veprimet për të luftuar ndryshimet klimatike".

Këto deklarata vijnë pas vendimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që SHBA-ja të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për Klimën. Trump tha se ai “brengoset thellësisht për mjedisin”, porse “nuk mund të mbështesë një marrëveshje që ndëshkon SHBA-në”.

Ai tha se do të nisë negociatat “për të rihyrë në Marrëveshjen e Parisit, ose në një marrëveshje krejtësisht të re”.

Presidenti francez Emmanuel Macron, i ka thënë presidentit amerikan Donald Trump përmes telefonit, se në marrëveshje “nuk kishte vend për ri-negociim”.

“Nuk do të ketë plan B, sepse nuk ka planet B”, ka thënë më pas Macron, përmes një paraqitjeje televizive.

"Ne, në asnjë mënyrë nuk do të negociojmë një marrëveshje më pak ambicioze”.

Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker e ka quajtur vendimin e presidentit Trump “të gabuar”. Edhe aleatët e afërt të SHBA-ve, Britania e Madhe, Gjermania dhe Japonia kanë shprehur “keqardhjen” dhe “zhgënjmin” për largimin e SHBA-ve nga Marrëeshja e Parisit.

Kina e ka vlerësuar vendimin e presidentit Trump, si “pengesë globale”, sipas agjencinë shtetërore të lajmeve Xinhua.

Xinhua e hodhi poshtë arsyetimin e Trumpit se largimi nga marrëveshja "është bërë për ruajtur interesat e SHBA-ve. “

“Ne vetëm mund të supozojmë se Trump ka arsye shumë të mira për t'u tërhequr nga marrëveshja e Parisit dhe se është në dijeni për implikimet që mund t'i ketë Amerika pas largimit nga marrëveshja historike”.

Rusia ka thënë se edhe pse e ka “respektuar” vendimin e Trumpit, ajo nuk planifikon që të “braktisë” marrëveshjen.

"Rusia është e përkushtuar ndaj marrëveshjes”, ka thënë zëvendës ministri i jashtëm rus Sergei Ryabkov për agjencinë e lajmeve TASS. "Është pretendim i gabuar se marrëveshja e Parisit është e njëanshme ose jofitimprurëse".

Në Shtetet e Bashkuara, Trump mori reagime të përziera. Republikanët në Kongres kanë lavdëruar guximin e tij në sfidimin e 194 vendeve të tjera që u bashkuan me marrëveshjen, duke hedhur poshtë atë që ata e quajtën si marrëveshje "të papërpunuar" për Shtetet e Bashkuara.

Në anën tjetër, demokratët e kanë kritikuar vendimin e tij dhe e kanë konsideruar largimin nga Marrëveshja e Parisit, si "tragjedi për mjedisin" dhe "heqje dorë nga udhëheqja" e skenës botërore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG