Ndërlidhjet

Iran: Nga sulmet në Parlament dhe tempullin Khomeini – 12 të vrarë

  • RFE /RL

Një zyrtar iranian tha se 12 vetë janë vrarë në dy sulme kundër Parlamentit të Iranit dhe mauzoleut të Ajatollah Ruhollah Khomeinit.

Shefi i Departamentit të inteligjecës së Iranit, Pir Hossein Kolivand, tha se 39 vetë të tjerë janë plagosur në sulmet e sotme në Teheran, ndërsa operacionet e shpëtimit po vazhdojnë.

Nuk është e qartë nëse në numrin e të vrarëve janë përfshirë sulmuesit.

Grupi ekstremist sunit, Shteti Islamik, e ka marrë përgjegjësinë për sulmet e sotme në kryeqytetin Teheran në Iran, ka raportuar agjencia e lajmeve Amaq, e ndërlidhur me Shtetin Islamik.

Pamje nga sateliti e lokacionit
Pamje nga sateliti e lokacionit

​Irani është vend me popullatë shumicë shiite myslimane.

Njëherësh, mediat iraniane kanë raportuar se sulmi në ndërtesën e parlamentit tash ka “përfunduar”, pasi më herët thuhej se ishte një situatë me rrëmbime të njerëzve.

Raportohet se katër sulmues janë vrarë.

Ligjvënësi nga Teherani, Elyas Hazrati, është cituar duke thënë se ishin tre sulmues, dy të armatosur me pushkë automatike Kalashnikov, ndërsa një kishte revole.

Situata raportohet se është e qetë edhe në lokacionin e dytë, në mauzoleun e Khomeinit në pjesën jugore të Teheranit, ku rrjeti Press TV tha se tri gra dhe një mashkull ishin të involvuar në sulm.

Ky rrjet më herët pat raportuar se tre sulmues ishin arrestuar, derisa i katërti ishte sulmues vetëvrasës.

​Një sulmues e ka aktivizuar jelekun vetëvrasës, tjetri është vrarë nga forcat e sigurisë, ndërsa sulmuesit e tjerë janë arrestuar, raporton transmetuesi shtetëror, IRIB, duke e cituar guvernatorin e Teheranit, Hossein Hashemi.

Të dy sulmet ndodhën pothuajse në të njejtën kohë dhe duket se ishin të koordinuara.

Ministria e Inteligjencës e Iranit tha se sulmet ishin kryer nga “grupet terroriste”.

“Anëtarë të grupit të tretë ishin arrestuar para se të ndërmerrnin çfarëdo sulmi”, ka njoftuar kjo ministri.

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Ali Larijani, tha se “terroristët qyqarë...kishin hasur në kundërshtim serioz”, ka raportuar agjencia e lajmeve, IRNA.

Këto sulme u bënë më pak se një muaj pasi Hassan Rohani, që është politikan relativisht i moderuar, në mënyrë bindëse e fitoi mandatin e dytë në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 19 maj. Megjithatë, në Iran autoritet më i lartë është lideri suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG