Ndërlidhjet

SHBA në pritje të dëshmisë nga Comey


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump (majtas) dhe ish-drejtori i FBI-së, James Comey.

Ish-drejtori i FBI-së, James Coemy, do të dëshmojë sot para ligjvënësve amerikanë, të cilët po hetojnë akuzat për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016 dhe për bashkëpunim të mundshëm midis aleatëve të presidentit Donald Trump dhe zyrtarëve rusë.

Paraqitja e Comeyt para Komitetit të Senatit për Inteligjencë vjen një ditë pasi ai, në një dëshmi të shkruar, ka thënë se Trump i ka bërë presion të ndalojë hetimet mbi ish-këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, Michael Flynn.

Flynn ka dhënë dorëheqje në muajin shkurt, për shkak të kontakteve të tij me zyrtarët rusë.

Comey, në dëshminë e shkruar, ka thënë po ashtu se Trump i ka kërkuar besnikëri gjatë një darke private në Shtëpinë e Bardhë, më 27 janar.

“Mendoj se ka pasur arsye të mirë për FBI-në që të nisë hetimet”, tha përfaqësuesi demokrat, Adam Schiff, duke komentuar dëshminë e shkruar të Comeyt.

Comey është shkarkuar nga detyra më 9 maj, me vendim të presidentit.

Avokati i Trumpit, Marc Kasowitz, duke iu referuar dëshmisë së shkruar të Comeyt se Trump nuk është personalisht nën hetime nga FBI, tha se “presidenti ndjehet krejtësisht pa faj”.

Presidencën Trump, prej fillimit, e kanë përcjellë dyshimet se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA, në favor të zgjedhjes së Trumpit president, përballë rivales demokrate, Hillary Clinton.

XS
SM
MD
LG