Ndërlidhjet

Konservatorët prijnë në zgjedhjet në Britani


Kryeministreja britanike, Theresa May, dhe bashkëshorti i saj, Philip May.
Kryeministreja britanike, Theresa May, dhe bashkëshorti i saj, Philip May.

Partia Konservatore e kryeministres britanike, Theresa May, fitoi 314 ulëse në Parlament, tregojnë exit poll-et e para të zgjedhjeve të së enjtes.

Sipas tyre, Laburistët kanë dalë të dytët, me 266 ulëse.

Gjithnjë sipas exit poll-eve, Konservatorët vështirë se do të sigurojnë shumicën absolute në Parlamentin 650-vendesh, për të qeverisur të vetëm.

Partia Kombëtare Skoceze ka siguruar 34 mandate, ndërsa Liberal-Demokratët 14.

Theresa May, nëse nuk arrin të formojë e vetme qeverinë, do të duhet të bëjë koalicion ose të qeverisë me mbështetjen e disa prej partive më të vogla.

Kjo, sipas vlerësimeve të agjencisë Reuters, mund të shkaktojë trazira në skenën e brendshme politike dhe të shtyjë negociatat për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, të cilat duhet të nisin më 19 qershor.

May i ka thirrur zgjedhjet e parakohshme në fillim të prillit, me qëllim forcimin e pozicionit të saj në negociatat për Brexit.

Këto negociata do të ndikojnë punësimin në Britani, pagat, çmimet e banesave, normat e interesit, migrimin, nivelin e tregtisë, mbrojtjen dhe sigurinë, financat publike dhe shërbimet pubike.

May, gjatë fushatës zgjedhore, ka thënë se opozita do që të pengojë vullnetin e popullit britanik për dalje nga BE-ja.

Lideri laburist, Jeremy Corbyn, dhe kryeministrja britanike, Theresa May.
Lideri laburist, Jeremy Corbyn, dhe kryeministrja britanike, Theresa May.

Laburistët opozitarë, me në krye Jeremy Corbyn, ndonëse me ton më të butë ndaj BE-së, kanë thënë se nuk do të tërhiqen nga procesi i Brexit-it nëse i fitojnë zgjedhjet e 8 qershorit.

Dy partitë tjera kryesore në këto zgjedhje – Partia Kombëtare Skoceze e udhëhequr nga Ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, dhe Partia Liberal-Demokrate e udhëhequr nga Tim Farron, i kanë kundërshtuar planet për daljen e Britanisë nga BE-ja dhe nga tregu i përbashkët evropian.

Një tjetër çështje që ka dominuar fushatën zgjedhore, ka qenë siguria kombëtare.

Britania është goditur nga tre sulme terroriste në muajt e kaluar.

Më i fundit ka ndodhur më 3 qershor në Londër, ku militantët islamikë kanë vrarë shtatë persona dhe kanë plagosur 48 të tjerë.

Theresa May është parë si lidere më e besueshme në luftën kundër terrorizmit, pasi, në të njëjtën kohë, dëshiron të ruajë marrëdhënie të mira me aleatët e NATO-s.

Rezultatet finale të zgjedhjeve të 8 qershorit priten të premten, në kohën e drekës.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG