Ndërlidhjet

BE-ja e gatshme për Brexit-in; Britania e pasigurt

  • RFE /RL

Ilustrim

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se nuk sheh asnjë pengesë për fillimin e bisedimeve për nxjerrjen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, edhe pse kryeministrja britanike, Theresa May, nuk ka arritur të sigurojë shumicën në zgjedhjet e së enjtes.

Merkel tha se beson se Britania do të respektojë afatin kohor dhe shtoi se BE-ja është gati.

Ajo po ashtu shfaqi shpresën se Britania do të mbetet një partner i mirë edhe pas bisedimeve që pritet të nisin më 19 qershor.

May, në zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit, ka humbur 13 ulëse në Parlamentin britanik, ndonëse zgjedhjet i ka thirrur për të forcuar pozicionin e saj dhe të partisë së saj në negociatat për Brexit.

May, megjithatë, ka marrë lejen nga Mbretëresha Elizabeth për formimin e qeverisë së pakicës.

Por, fati i negociatave për Brexit mbetet i pasigurt.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse negociatat mund të nisin më 19 qershor, Steven Blockmans, hulumtues në Qendrën për Studime të Politikave Evropiane, tha:

“Kjo varet nga konsultimet dhe nga koha që duhet për të formuar Qeverinë e re britanike... Nëse nuk ka qeveri, nuk ka as partner negociues. Andaj, është reale të pritet që data 19 qershor nuk është e gdhendur në gurë dhe mund të shtyhet”.

Edhe liderë të Bashkimit Evropian kanë shprehur shqetësimin se dështimi i partisë së kryeministres May për të fituar shumicën parlamentare, i bën negociatat për Brexit edhe më të vështira.

“Nuk e dimë se kur do të nisin negociatat për Brexit. Por, e dimë se kur duhet të përfundojnë”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, duke aluduar në marsin e vitit 2019 si afat për përfundimin e negociatave.

“Në vend të një situate më të qartë që do të duhej të sillnin zgjedhjet, Britania e Madhe përballet me telashe edhe më të mëdha kur janë në pyetje bisedimet me Brukselin”, shkroi në anën tjetër gazeta New York Times.

Këto negociata janë të rëndësishme pasi do të ndikojnë punësimin në Britani, pagat, çmimet e banesave, normat e interesit, migrimin, nivelin e tregtisë, mbrojtjen, sigurinë, financat publike dhe shërbimet publike.

Merkel i dha kurajë Britanisë duke thënë se ajo është pjesë e Evropës, pavarësisht largimit nga BE-ja.

“Britania është anëtare e NATO-s, andaj kemi shumë sfida të përbashkëta”, tha Merkel.

Kryeministres May i dha mbështetje edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Shtëpia e Bardhë tha se Trump do të bashkëpunojë me May në vitet që vijnë “për interesat e përbashkët”.

Britania ka vendosur të largohet nga Bashkimi Evropian në një referendum që është mbajtur në qershor të vitit të kaluar.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG