Ndërlidhjet

Rusi: Protesta anti-korrupsion të mbështetësve të Navalnyt


Protesta në Rusi
Protesta në Rusi

Policia në Lindjen e Largët të Rusisë i ka arrestuar disa vetë në përpjekje për të demonstruar në kuadër të protestave kundër korrupsionit në gjithë Rusinë, të organizuara nga politikani opozitar, Aleksei Navalny, dhe mbështetësit e tij.

Së paku katër vetë janë arrestuar sot në qytetin Blagoveshçensk, përfshirë edhe organizuesit e protestave të pautorizuara në këtë rajon, sipas faqes në Internet, OVD-Info, që i gjurmon protestat dhe aksionet policore në Rusi.

Mediat lokale kanë raportuar se policia speciale është përleshur me demonstruesit, derisa qindra njerëz kanë protestuar në Vlladivostok, që është 7 orë para Moskës, dhe e kanë arrestuar një numër të paspecifikuar të njerëzve.

Në pamjet në disa video shihen oficerët me helmeta dhe me shkopinj, duke i tërhequr dy pjesëmarrës nga masa e njerëzve, derisa protestuesit e tjerë brohorisnin “turp, turp”.

Një masë e madhe e njerëzve është mbledhur në Barnaul, në rajonin Altai Krai, në kufi me Kazakistanin, ndërsa protesta janë mbajtur edhe në qytete të tjera në Kazan dhe Tatarstan.

Këto protesta u bënë derisa policia në Moskë ka tërhequr vërejtjen kundër demonstratës në rrugën Tverskaja, që çon kah Kremlini, pas thirrjes së fundit të Navalnyt për të protestuar aty e jo në një lokacion që nuk është në qendër të Moskës.

Zoti Navalny, që është luftëtar anti-korrupsion dhe lideri më i njohur opozitar rus, synon një pjesëmarrje masive, derisa bën fushatë për zgjedhjet presidenciale në mars të vitit të ardhshëm, përkundër paqartësisë nëse ai do të lejohet të garoj nga ana e qeverisë së presidentit, Vladimir Putin.

Policia e Moskës ka tërhequr vërejtjen se “çfarëdo aksionesh provokuese nga protestuesit, do të konsiderohen kërcënim për rendin publik dhe do të ndalen menjëherë”.

Demonstratat në më se 200 qytete mbahen sot për të protestuar kundër asaj që Navalny thotë se është sistem i korrupsionit dhe nepotizëm, në krye të të cilit është presidenti, Vladimir Putin.

Navalny po përpiqet ta shfrytëzojë momentin e krijuar pas protestave gjithkombëtare në muajin mars, në të cilat papritur kanë marrë pjesë masa të mëdha të njerëzve dhe kanë përfunduar me arrestimin e më se një mijë protestuesve nga policia, vetëm në kryeqytetin Moskë.

Navalny, po ashtu, ishte arrestuar dhe dënuar me 15 ditë burg, pas protestave të 26 marsit, që ishin demonstratat më të mëdha opozitare në Rusi, prej valës së protestave në periudhën 2011-2012, të cilat ai i ndihmoi të organizohen.

Navalny aktualisht i ka akuzuar autoritetet për krijimin e situatës së pamundshme për demonstruesit, që të mbajnë tubim në Moskë, duke u bërë presion bizneseve, nga të cilat organizatorët e demonstratave kërkonin huazimin e pajisjeve.

Në një video të transmetuar në këtë aspekt, përfshihet edhe një bisedë telefonike, ku një kontraktor thotë se shefat e tij i kishin thënë se është “e ndaluar” të bëhen shërbime për grupin e Navalnyt.

Lidhur me këtë situatë, Navalny tha se “e drejta është krejtësisht në anën tonë”.

Pak para demonstratave, një video e prodhuar nga Navalny dhe mbështetësit e tij, ku kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev, akuzohet për korrupsion, është publikuar në dy faqe të qeverisë ruse në Internet.

Pasi kjo video ishte publikuar edhe në faqet në Internet të administratave rajonale në Jaroslavl dhe Shën Petersburg, prokurorët thanë se ka dyshime se këto faqe ishin sulmuar nga hakerët.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG