Ndërlidhjet

Trump do të shkarkojë këshilltarin e posaçëm që heton lidhjet me Rusinë?!


Robert Mueller

Një bashkëpunëtor i afërt i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ky i fundit po shqyrton shkarkimin e këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, të cilin Departamenti i Drejtësisë e emëroi muajin e kaluar, për të hetuar lidhjet e Rusisë me fushatën e Trumpit.

“Mendoj se ai është duke shqyrtuar ndoshta shkarkimin e këshilltarit të posaçëm. Mendoj se po e mat këtë opsion”, tha Christopher Ruddy, shef ekzekutiv i Newsmax Media-s dhe mik i Trumpit, për PBS NewsHour.

“Mendoj se është shumë e qartë nga ajo që tha njëri prej avokatëve të tij së voni”, tha Ruddy, me sa duket duke iu referuar avokatit të Trumpit, Marc Kasowitz, i cili ka thënë se Trump është “shfajësuar” me dëshminë e ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, javën e kaluar.

Në këtë dëshmi, Comey ka thënë se Trump personalisht nuk ka bashkëpunuar me Rusinë.

“Unë personalisht mendoj se do të ishte gabim shumë i madh shkarkimi i Muellerit”, shtoi ai.

Ruddy po ashtu tha se Mueller ishte në shqyrtim për postin e drejtorit të FBI-së para se të emërohej këshilltar i posaçëm.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, tha më vonë se Ruddy “nuk ka folur kurrë me presidentin për këtë çështje”.

XS
SM
MD
LG