Ndërlidhjet

Mattis: Shtetet e Bashkuara po humbin në Afganistan


Jim Mattis
Jim Mattis

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, i ka thënë Kongresit se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke fituar në Afganistan dhe se gjatë muajit korrik do të prezantojnë një strategji të re duke synuar ndryshimin e situatës.

Mattis gjithashtu ka thënë në dëshminë e Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, se goditjet e fundit kundër forcave qeveritare siriane kanë qenë në vetëmbrojtje, pasi sipas tij Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrur të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur ushtarët e saj në terren.

"Ne nuk jemi duke fituar tani në Afganistan. Do ta korrigjojmë këtë sa më shpejt që të jetë e mundur", ka thënë ai duke shtuar se Pentagoni ka gjasa të kërkojë një rritje prej 3-5 për qind të buxhetit të saj nga 2019 deri në vitin 2023.

Në Shtetet e Bashkuara, mediat kanë raportuar se Mattis do të rekomandojë dërgimin e 3,000 deri në 5,000 trupave amerikane për të shkatërruar, atë që ai e quajti "bllokadë" midis forcave të mbështetura nga SHBA-të dhe talibanëve.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar një dron të armatosur të qeverisë siriane i cili kishte sulmuar forcat e mbështetura nga SHBA-të, në Siri. Në po të njejtën ditë, këto forca të mbështetura nga SHBA-të, sulmuan dy kamionë të qeverisë siriane afër qytetit jugor, At Tanf.

Rusia në anën tjetër ka thënë më 10 maj, se i konsideron të papranueshme sulmet e Shteteve të Bashkuara kundrejt forcave qeveritare në Siri.

XS
SM
MD
LG