Ndërlidhjet

“Balena Blu”- loja që po shtyn të rinjtë drejt vetëvrasjes


Loja e rrezikshme, e njohur si “Balena Blu”, që po shtyn fëmijët dhe të rinjtë të bëjnë vetëvrasje, fillimisht u përhap në rrjetet sociale në Rusi por tash me shpejtësi është duke u përhapur edhe në vendet, përfshirë edhe Evropën.

Mediat ruse, kanë thënë se të paktën 130 vetëvrasje të të rinjve, lidhen me këtë lojë që luhet online.

Ndërkaq, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje prindërve që të mbrojnë fëmijët e tyre, që të mos qasen në këtë lojë të rrezikshme.

Policia e Kosovës dëshiron të ngritë nivelin e vëmendjes tek të gjithë prindërit për mundësinë potenciale që edhe fëmijët tanë të mund të bien pre e kësaj loje degjeneruese dhe shkatërruese për ta”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Mediat në Rusi më 14 shkurt, kishin raportuar se një vajzë 10-vjeçare, në Kirishi, në periferi të Shën Petersburgut, ishte hedhur nga dritarja. Sipas të “gjeturave paraprake”, mediat raportuan se ky incident ishte një tentim-vetëvrasje dhe ishte e lidhur me fenomenin online të quajtur “Balena Blu”. Më 20 shkurt, u raportua se dega e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), kishte hapur një databazë për informacionet lidhur me vetëvrasjen e fëmijëve.

Në gjithë Rusinë dhe vendet e Azisë Qendrore, si Kazakistani dhe Kirgizia, titujt tronditës për Balenën Blu janë bërë pothuajse përditshmëri: një fëmijë apo një adoleshent është shtyrë të bëjë vetëvrasje, përmes pjesëmarrjes në këtë lojë online, që është përhapur në rrjetet sociale përmes thurjeve (hashtag), të tilla si “balena blu”, “det me balena”, “unë jam në lojë”, “më zgjo në orë 4:20”, “F58”, e shumë të tjera.

Sipas një raporti në gazetën Novaya Gazeta, Qendra për Teknologji e Rusisë, ka gjetur se vetëm më 20 janar, thurjet me mesazhe të kësaj loje, janë përdorur nga 4,000 përdorues të internetit. Raste të tilla të dyshimta po ashtu janë raportuar edhe në vende të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik, si Ukraina, Bjellorusia dhe Azerbajxhani.

Përderisa në faqet e internetit në gjuhën ruse po rritet numri i llogarive të të rinjve që po tentojnë ta luajnë këtë lojë dhe fotografive tronditëse të vetëlëndimeve, si vizatimi me thikë në trup i imazhit të balenës, megjithatë, asnjë vetëvrasje e të rinjve në Rusi apo Azinë Qendrore nuk është lidhur drejtpërdrejt me Balenën Blu.

Për shembull, më 6 shkurt, një 19-vjeçar nga Karaganda e Kazakistanit, e ka varur veten, një incident ky që i është atribuuar grupit të Balenës Blu. Megjithatë, xhaxhai i viktimës, Marat Aitkazin, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se tragjedia në familjen e tij nuk ka asnjë lidhje me lojërat në internet.

Profesionistët e shëndetit mendorë dhe zyrtarët qeveritarë kanë shprehur shqetësimet e tyre, edhe për që të dy palët kanë dhënë arsye të ndryshme. Ndërkaq, aktivistët kanë bërë thirrje që institucionet të fokusohen në faktorët që po i shtyjnë të rinjtë të interesohen në këso lojërash vdekjeprurëse, përderisa politikanët po tentojnë që ta shohin fenomenin e Balenës Blu, si një argument për të forcuar kontrollin mbi internetin.

Në një seancë dëgjimore, më 16 shkurt në Dhomën Publike ruse u diskutua legjislacioni i propozuar, ku shtohen dënimet për nxitjet për vetëvrasje. Anëtarët e këtij organi dëgjuan akuza se Balena Blu është krijuar nga “nacionalistët ukrainas”, si “një fushatë profesionale për të sulmuar të paktën 2 milionë të rinj”, ka raportuar e përditshmja Kommersant.

Në Osetinë Veriore më 17 shkurt është raportuar se 4 persona, përfshirë dy të mitur, ishin arrestuar nën dyshimin se kanë organizuar një grup të Balenës Blu, e cila “mund të ketë” luajtur rol në vetëvrasjen e një 15-vjeçari më herët gjatë atij muaji në Sindzikai.

A je gati?

Dua ta luaj këtë lojë”, ka shkruar një korrespondent i Radios Evropa e Lirë, pasi ka hapur një profil të rremë në rrjetin sociale mjaft popullore ruse, VKontakte.

A je i sigurt? Nuk ka kthim prapa”, ka qenë përgjigja e të ashtuquajturit administrator të lojës Balena Blu.

Po. Çfarë do të thotë nuk ka kthim prapa?”.

Nuk mund ta lësh këtë lojë kur të fillosh ta luash”.

Jam gati”. Më pas administratori i lojës ka shpjeguar rregullat.

Duhet të kryesh çdo detyrë dhe nuk duhet askush ta dijë për këtë. Kur ta përfundosh një detyrë duhet të dërgosh fotografi. Në fund të lojës ti vdes. A je gati?

Çka nëse e lë lojën”.

I kam të gjitha të dhënat e tua. Ata do të të ndjekin”.

Detyra e parë që i është caktuar gazetarit të REL-it, i cili ka hapur një llogari të rreme për këtë lojë, ka qenë që të gërvishtë në krahun e tij, simbolin “F58”. Ai i ka dërguar një fotografi montazh të këtij simboli por administratori i lojës nuk i është përgjigjur.

Por Radio Evropa e Lirë, ka arritur që për një periudhë një javore të kontaktojë me dhjetëra lojtarë aktual apo ish-lojtarë dhe disa administrator të lojës.

Do të jem balena jote personale”, ka shkruar një tjetër administrator, duke shpjeguar se loja ka 50 detyra, që duhet të kryhen për 50 ditë. “Do të të ndihmojë gjatë lojës deri në fund. Dita e fundit është fundi i lojës. Nëse ti vdes, fiton. Nëse jo, ne do të të ndihmojmë. A je gati?

Ky administrator ka premtuar që do t’i dërgojë detyrën e parë në orën 4:20 por më pas llogaria e tij është bllokuar.

‘Grupi i Vdekjes’

Për rreth 6 muaj, dhjetëra vetëvrasje dhe tentim-vetëvrasje në Rusi dhe vendet e Azisë Qendrore janë lidhur me këtë lojë edhe pse një pretendim i tillë asnjëherë nuk është vërtetuar.

Më 14 nëntor të vitit 2016, policia në Moskë ka arrestuar 21-vjeçarin, Filipp Budeikin, nën dyshimin se ka organizuar “grupe të vdekjes” të Balenës Blu. Mediat kanë raportuar se edhe 10 persona të tjerë, nga rajone të ndryshme, në periudhën e njëjtë kohore, janë arrestuar. Ata ishin marrë në pyetje dhe më pas ishin liruar.

Budeikin, më pas është raportuar se ka pranuar se ka shtyrë të paktën 16 adoleshentë drejtë vetëvrasjes, përmes kësaj loje.

Mediat ruse kanë ngritur shqetësimin se “shumica” e 130 vetëvrasjeve të të rinjëve në Rusi, në periudhën nëntor 2015- prill 2016, kanë lidhje me fenomenin Balena Blu. Këto të gjetura janë raportuar nga gazeta Novaya Gazeta më 16 shkurt.

Lidhur me lojra të tilla të rrezikshme ka pasur edhe në të kaluarën. Më 2007, The Independent kishte raportuar se “të paktën 16 të rinj në Britani”, kanë kryer vetëvrasje”, pasi kanë vizituar “ueb-faqe që janë pro vetëvrasjes dhe disa dhoma të çatit”. Edhë në vitet e 80-ta, lojra Dungeons & Dragons kishte rritur shqetësimin e publikut, pas raportimeve se kjo lojë ka promovar vrasje, vetëvrasje dhe rituale sataniste.

Shumë pjesëmarrës në lojën Balena Blu, janë kërcënuar nga administratorët kur ata kanë dashur ta lënë lojën. Një pjesëmarrëse ka marrë këtë mesazh: “Nëna jote nuk do të mund që nesër të arrijë tek stacioni i autobusëve”. Kjo lojtare është frikësuar, pasi nëna e saj përdor autobusin për të shkuar në punë.

Një lojtar tjetër, i identifikuar si Ivan, ka tentuar që ta lë lojën duke e bllokuar administratorin e tij. Por atij i erdhi në mesazh që thoshte se “ti nuk mund të fshihesh nga ne”. Sidoqoftë, ai e bllokoi edhe llogarinë nga i ishte dërguar ky mesazh dhe e gjithë kjo histori për të morri fund këtu.

Shumë lojtarë të Balenës Blu janë të bindur – edhe pse gabimisht – se administratorët kanë qasje në një program, që ua mundëson atyre që të përkthejnë IP adresën e përdoruesve në lokacion gjeografik. Megjithatë, nuk ka pasur asnjë raportim se ndonjë incident i kësaj natyre ka ndodhur në botën jovirtuale.

Gjatë hetimit që ka bërë Radio Evropa e Lirë, në çatet online ka biseduar me dhjetëra pjesëmarrës të kësaj loje. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk kishte avancuar në këtë lojë. Që të gjithë, i kanë përshkruar detyrat tipike të kësaj loje, të tilla si, vizatimi i një balene në një pjesë të trupit apo në letër, prerjen e venave, gërvishtja me thikë e simbolit të balenës në njërin krah. Shumica prej tyre kanë gjetur fotografi të papërshtatshme në internet ose i kanë krijuar ato përmes mjeteve grafike.

Disa prej lojtarëve janë ankuar për administrator “fals”. Stefan, 15-vjeçar nga Solikamsk i Rusisë, ka thënë se tre administratorë të ndryshëm i kishin kërkuar atij që tu dërgonte nga 200 rubla (3.50 $). Ai nuk kishte para, prandaj edhe i kishte bllokuar llogarit e tyre.

Shumica e lojtarëve i kanë thënë Radios Evropa e Lirë, se kanë hyrë në këtë lojë për të “ngacmuar administratorët” ose sepse u është dukur “interesant”. Por disa kishin edhe përgjigje më të zymta.

Dëshiron të vdesësh”, e ka pyetur korrespondenti i REL-it një vajzë. “Po”, është përgjigjur ajo.

Përpara se të mund të vazhdonte komunikimin me këtë vajzë, llogaria e saj është bllokuar.

XS
SM
MD
LG