Ndërlidhjet

Borisov – Zaev: Maqedonia dhe Bullgaria para marrëveshjes historike


Pamje nga takimi Borisov - Zaev (majtas) sot në Sofje të Bullgarisë
Pamje nga takimi Borisov - Zaev (majtas) sot në Sofje të Bullgarisë

Maqedonia dhe Bullgaria duket se e kanë hapur një faqe të re të historisë, me vizitën e kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev në Sofje.

Nga marrëveshja për fqinjësi të mirë mes dy vendeve ka mbetur edhe një detaj i vogël dhe ajo mund të nënshkruhet në ditën e Ilidenit, më dy gusht, deklaroi kryeministri Zaev pas takimit me homologun bullgar, Boyko Borisov.

Zaev në Sofje është përkulur para përmendores së Car Samoilit, të cilën dy vendet e llogarisin si të vetin. Një përmendore e këtij personaliteti ekziston edhe në Shkup, dhe përkulje para tij ka premtuar edhe kryeministri bullgar.

“Sot Maqedonia po e mbyll kapitullin e nacionalizmit dhe po hap faqen e re të së ardhmes evropiane. Ne kemi nevojën për ndihmën bullgare dhe ajo mund të bëjë këtë. Deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare ka mbetur edhe një detaj i vogël të cilin shërbimet tona do ta mbyllin. Më nuk do të ketë komisione për negociata, do të bisedojnë ministrat e punëve të brendshme për harmonizimin e qëndrimeve që të mund të nënshkruajmë marrëveshjen gjatë vizitave të ndërsjella më rastin e shënimit të ditës së Ilindenit”, ka deklaruar Zaev .

Detajet e marrëveshjes janë të rëndësishme, jo për sot, por për gjeneratat e ardhshme, tha kryeministri bullgar, Boyko Borisov, duke theksuar se mbyllja e çështjeve të hapura është hap i mirë edhe për Brukselin, por edhe për qytetarët e të dy shteteve.

“Do të bëjmë gjithçka që të mundur që me Greqinë të punojmë së bashku që t’i zgjidhim të gjitha problemet, sepse destabilizimi i Maqedonisë, do të thotë edhe destabilizim i kufijve tanë. Ne jemi për Maqedoni unitare, ne jemi për anëtarësim të Maqedonisë në NATO e pastaj edhe në Bashkimin Evropian”, është shprehur Borisov.

Maqedonia dhe Bullgaria i kanë disa çështje të hapura ndërmjet tyre. Sofja nuk e pranon identitetin dhe gjuhën maqedonase ndërsa i konteston edhe shumë personalitete historike maqedonase, përfshirë edhe Goce Dellçevin, që llogaritet si një nga heronjt kryesor të maqedonasve.

XS
SM
MD
LG