Ndërlidhjet

Refugjatët e strehuar në Kosovë, presin rastin të ikin për në vendet e BE-së


Sulman Ali, 22 vjeç nga Pakistani, ka ikur nga vendlindja e tij në kërkim të një jete më të mirë.

Pas një rrugëtimi të gjatë, ai tani është i strehuar në Qendrën e Azilkërkuesve në Kosovë.

Qendra e Azilkërkuesve në Magurë të Lipjanit, gjatë këtij viti ka strehuar 81 refugjatë nga vendet e Lindjes së Mesme, kryesisht nga Afganistani dhe nga Siria. Aktualisht në këtë Qendër janë të strehuar 22 refugjatë.

Sulman Ali, thotë se pas një viti qëndrimi në Turqi ka ardhur në Kosovë.

Në Kosovë, ai thotë se do të qëndrojë deri në momentin kur t’i jepet mundësia që të shkojë në Gjermani, atje ku thotë se e ka edhe familjen.

“Jam këtu qe një javë, kam ardhur nga Turqia. Unë jam këtu në Kosovë, prej këtu do të shkoj në Beograd e pastaj do të shkoj në Gjermani”, thotë ai.

Sulman thotë të jetë i kënaqur me kushtet të cilat i ofrohen në Qendrën e Azilit në Kosovë, por që synimi i tij, është që t’i bashkohet familjes së tij.

“Kushtet janë të mira këtu, nuk kemi probleme, kemi dhomat, kemi veshmbathje njerëzit janë të mirë këtu, nuk kemi probleme. Në Gjermani dua të shkojë të gjejë punë, pastaj të shkojë edhe në shkollë”, thotë ai.

Kosova nuk është përfshi në valën e madhe të refugjatëve, por që sipas autoriteteve, kryesisht shfrytëzohet nga refugjatët si një vend transit për të kaluar më pas në vende të ndryshme të Evropës.

Në Qendrën e Azilkërkueseve në Kosovë, kryesisht janë të rinj të ikur nga vatrat e krizës që kanë përfshirë vendet e tyre.

Drejtori i Qendrës për Azilkërkues në Magurë të Lipjanit, Fitim Zariqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit ka pasur rritje të azilkërkuesve në Kosovë, por që numri është i kontrolluar.

“Kosova përveç strehimit ofron edhe shërbime tjera, si shërbime shëndetësore, ushqim, pako higjienike, veshmbathje dhe shërbime të tjera, si ofrimi i kurseve të gjuhës shqipe, të kompjuterëve dhe shërbimeve tjera që ofrohen në bashkëpunim me organizatat joqeveritare”.

“Kosova ka një buxhet të limituar të ofrimit të shërbimeve, por në bashkëpunim me organizatat e ndryshme që veprojnë në Kosovë kemi arritur t’i mbulojmë të gjitha nevojat e azilkërkuesve”, thekson Zariqi.

Autoritetet në Kosovë, nënvizon Zariqi, kanë një plan dhe janë të gatshëm t’i strehojnë më shumë se 3 mijë refugjatë, nëse paraqitet nevoja.

“Kosova ka përgatitur një plan të emergjencës që t'ju përgjigjet nëse do të ketë fluks të mundshëm të refugjatëve. Ne kemi kontaktuar më të gjitha organizatat që ofrojnë lista të mbështetjes në rast se do të ketë fluks të mundshëm të refugjatëve dhe këtë e kanë bërë këto organizata dhe ne i kemi përfshirë në plan. Ne kemi paraparë që mund t’i strehojmë rreth 3 mijë azilkërkues”, thekson Zariqi.

Ndryshe, më 20 qershor shënohet Dita Botërore e Refugjatëve. Kjo ditë synon të kthejë vëmendjen te miliona familje që detyrohen të ikin nga shtëpitë, për shkak të konflikteve apo keqtrajtimeve të ndryshme.

Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara publikoi të hënën raportin vjetor, i cili nxori në pah se 65.6 milionë njerëz në botë janë refugjatë, azilkërkues ose të zhvendosur brenda përbrenda vendeve të tyre.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG