Ndërlidhjet

Përshkallëzohen tensionet iraniano – saudite


Trashëgimtari i fronit saudit, Muhammad bin Salman
Trashëgimtari i fronit saudit, Muhammad bin Salman

Tensionet ndërmjet Arabisë Saduite dhe Iranit, që aktualisht janë shumë të larta, mund të përkeqësohen edhe më tepër, pasi Mbreti Salman e emëroi për trashëgimtar djalin e tij, Muhammad bin Salman, që është ambicioz dhe agresiv, thonë analistët.

Trashëgimtari i fronit, bin Salman, tha muajin e kaluar në Televizionin Saudit, se nuk është i hapur për përmirësim të raporteve me Teheranin, të cilin e akuzon për përpjekje për “kontrollin e botës islamike”, për ta përhapur doktrinën e vet shiite.

“Ne e dimë se ne jemi caku kryesor i Iranit”, tha ky princ dhe ka shtuar se konflikti ndërmjet Mbretërisë saudite, të udhëhequr nga sunitët, dhe Iranit, të udhëhequr nga shiitët, duket se është i paevitueshëm.

“Ne do të punojmë ashtu që beteja për ta, të arrijë në Iran e jo në Arabinë Saudite”, tha Muhammad bin Salman.

Këto komente kanë shkaktuar alarm në Iran dhe i kanë forcuar pohimet se sauditët kanë dorë në sulmet terroriste aktuale në Teheran, për të cilat përgjegjësinë e kishte marrë grupi ekstresmist, Shteti Islamik.

Në këtë kuadër, mediat shtetërore të Iranit kanë vlerësuar se emërim,i i princit bin Salman për të qenë Mbret i ardhshëm i Arabisë Saudite, paraqet një “komplot të butë”.

“Nën mbikëqyrjen e tij, Arabia Saudite e ka zhvilluar një politikë të jashtme agresive në Jemen dhe Katar, dhe ai nuk ka qenë i rezervuar në dhënien e deklaratave të fuqishme kundër Iranit”, i tha agjencisë Reuters, Olivier Jakob, këshilltar në kompaninë Petromatrix.

Kompania Petromatrix ka thënë se emërimi i princit për trashëgimtar të fronit menjëherë i ka kontribuar rënies madhore të çmimit të naftës, për shkak të rritjes së dyshimeve se sauditët dhe iranianët nuk do të jenë në gjendje të bashkëpunonëj në të ardhmen për kontrollin e prodhimtarisë së naftës.

Agjencia Reuters, duke i cituar zyrtarët e tashëm dhe të dikurshëm amerikanë, ka raportuar se princi, Muhammad bin Salman, pajtohet me pikëpamjen agresive për Iranin, të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Në këtë kuadër konsiderohet se qasja më tepër konfrontuese ndaj Teheranit e bartë rrezikun e përshkallëzimit në këtë rajon jostabil.

Në takimin e parë ndërmjet princit bin Salman dhe presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë në muajin mars, është theksuar rëndësia e “konfrontimit të aktiviteteve destabilizuese rajonale të Iranit”.

Por, zyrtarët e tashëm dhe të dikurshëm të administratës së Shteteve të Bashkuara thonë se kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme.

Rreziku më i madh për administratën Trump, tha një ekspert qeveritar amerikan për Lindjen e Mesme, është që Shtetet e Bashkuara të përfshihen më thellë në konfliktin sunito-shiit në gjithë Lindjen e Mesme.

Rob Malley, ish-këshilltar për Lindjen e Mesme në administratën e ish-presidentit, Barack Obama, thotë se “nëse do të ketë më tepër qasje luftënxitëse ndaj Iranit, Irani me gjasë do të përgjigjet”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG