Ndërlidhjet

Beograd: Aktivistët e komunitetit LGBT marshuan nën masa të rrepta sigurie


Pamje nga parada e mbajtur sot në Beograd

Nën masa të rrepta të sigurisë, shumë aktivistë të komunitetit LGBT, janë mbledhur në Beograd për të festuar në kuadër të organizimeve që po mbahen në shumë vende të botës, për të drejtat e këtij komuniteti.

Derisa marshonin, rreth 100 aktivistë, mbanin me vete mbishkrimet “duam jetë dinjitoze për njerëzit” dhe “vlerësojmë mbështetjen”.

Parada është organizuar nga disa organizata lokale me sloganin “Le të dëgjohet zëri ynë”. Organizatorët përmes një deklarate kërkuan zero tolerancë për dhunën ndaj këtij komuniteti.

Ani pse në numër të vogël, disa persona nga Kisha Ortodokse Serbe e kundërshtuan paradën.

Parada ka përfunduar pa asnjë incident serioz.

Aktivistët përshëndetën propozimin për kryeministren e parë lezbike duke e konsideruar këtë, si hap historik për vendin e Ballkanit.

Ndërkohë, parlamenti serb është mbledhur për të nisur procedurat e nevojshme për zgjedhjen e Ana Brnabiq si kryeministre e re.

Nëse votohet, 41-vjeçarja Brnabiq do të bëhet kryeministrja e parë e Serbisë dhe personi i parë në këtë pozitë si pjesë e komunitetit LGBT.

Gjatë një parade të tillë të mbajtur më 2010, rreth 150 persona mbetën të lënduar, pasi nacionalistët serbë i sulmuan personat që po marshonin dhe u përleshën më pas me policinë.

XS
SM
MD
LG