Ndërlidhjet

Macron, Poroshenko shpresojnë të zgjidhin konfliktin në Ukrainë


Paris, 26 qershor 2017.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe ai i Ukrainës, Petro Poroshenko, shfaqen shpresë për zgjidhjen e konfliktit në lindje të Ukrainës.

Pas takimit në Paris, dy liderët thanë se presin një takim të ri të Formatit të Normandisë për Ukrainën, i cili do të mbahej në fillim të korrikut.

Formati i Normandisë është një grupim diplomatik i përfaqësuesve të Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Ukrainës.

“Nuk kemi nevojë për bisedime që vazhdojnë me orë të tëra. Jemi të bindur se na duhen dokumente gjithëpërfshirëse që do të sillnin paqe në tokën e Ukrainës, që ka vuajtur aq shumë”, tha Poroshenko.

Konflikti në lindje të Ukrainës midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë ka nisur qysh në vitin 2014 dhe ka marrë mbi 10,000 jetë njerëzish.

Një marrëveshje për paqe, e nënshkruar në Minsk në vitin 2015, ka dështuar t’iu japë fund luftimeve.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar Rusinë për nxitjen e këtij konflikti, si dhe për aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë.

Macron përsëriti të hënën se nuk e pranon këtë aneksim dhe tha se nuk është dakord me qëndrimin e sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, se konflikti në Ukrainë mund të zgjidhet jashtë Marrëveshjes së Minskut.

XS
SM
MD
LG