Ndërlidhjet

SHBA: Gjykata Supreme vendosi për imponim të ndalesës së udhëtimit të Trumpit


Pamje e ndërtesës së Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara në Uashington

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara e ka rrëzuar urdhrin e gjykatës më të ulët, me të cilin ishte bllokuar ndalesa e udhëtimit për shtatasit e gjashtë vendeve me shumicë myslimane, të administratës së presidentit, Donald Trump.

Ky vendim i sotëm i Gjykatës Supreme do të thotë se urdhri ekzekutiv i presidentit Trump mund të imponohet pjesërisht.

Gjykata e ka lënë një kategori të pandryshuar të mbrojtjes së personave të jashtëm, ata që janë “me pretendim të besueshëm për marrëdhënie me person ose entitet në Shtetet e Bashkuara”.

Në opinionin e sotëm të gjykatës, i cili nuk është i nënshkruar, theksohet, po ashtu, se është pajtuar për dëgjim të argumenteve për këtë rast në muajin tetor.

Ky vendim konsiderohet fitore e presidentit Trump në kundërthënien më të madhe juridike të presidencës së tij, që filloi më 20 janar të këtij viti.

Ndalesa do të imponohet për shtetasit e Iranit, Libisë, Somalisë, Sudanit, Sirisë dhe Jemenit, që përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Javën e kaluar zoti Trump tha se ndalesa do të fuqizohet 72 orë pasi të vendos gjykata.

Administrata Trump insiston se ndalesa është e domosdoshme për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, përkundër ankesave të kritikëve që thonë se ajo i përmend myslimanët dhe kjo paraqet shkelje të Kushtetutës amerikane.

XS
SM
MD
LG