Ndërlidhjet

Shqipëri: Partia Socialiste në rrugë për të fituar në zgjedhjet e djeshme


Pamje nga votimet e djeshme në Shqipëri

Rezultatet preliminare tregojnë se Partia Socialiste e krahut të majtë në Shqipëri, duket se është në rrugën për një mandat të ri qeveritar, pas zgjedhjeve të djeshme parlamentare, që konsideroheshin madhore për synimin e Shqipërisë për t’i filluar negociatat për pranim në Bashkimin Evropian.

Rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi janë numëruar më se 50% të fletëvotimeve, tregojnë se Partia Socialiste e kryeministrit, Edi Rama, i fitoi 52% të votave, ndërsa Partia Demolratike në opozitë e liderit, Lulzim Basha, i ka afro 29% të votave, ose 40 deputetë.

Autoritetet zgjedhore thonë se ky numërim i pjesërishëm, tregon se socialistët i kanë fituar së paku 76 vende në Kuvendin e Shqipërisë me 140 deputetë, që do të thotë se tash PS-ja i ka 11 deputetë më tepër se sa i kishte nga zgjedhjet e vitit 2013.

Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) i ka fituar gati 16% të votave, që është 4.5% më tepër se në zgjedhjet e kaluara.

Dalja në zgjedhje ishte 45% - më e ulët se në zgjedhjet e vitit 2013.

Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe korrekte ishte kusht themelor për fillimin e negociatave për integrim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pasi në vitin 2014 e mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim.

Aktualisht, Shqipëria është anëtare e NATO-s.

Dalja e ulët në zgjedhjet e djeshme shpjegohet edhe me festën e Bajramit dhe me motin tejet të nxehtë prej 39 gradë Celsius.

XS
SM
MD
LG