Ndërlidhjet

Tenistja Williams akuzon kolegun McEnroe për deklarata të pabaza


Serena Williams
Serena Williams

Ylli i tenisit, Serena Williams, ka kërkuar nga ish-tenisti amerikan, John McEnroe, që “ta respektojë” atë, pasi McEnroe deklaraoi se Williams do të rangohej “në vendin e 700-të në botë”, sikur ajo të garonte në konkurrencën e meshkujve.

Gjatë një interviste në Radion Publike Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ish-tenisti McEnroe tha se Williams, që ka fituar në 23 turne Grand Slam, ishte “tenistja më e mirë e të gjitha kohërave”, por shtoi se “nëse ajo do të luante në konkurrencën e meshkujve, ajo do të ishte diku e 700-ta në botë”.

Serena Williams, e cila aktualisht është jashtë terreneve të tenisit pasi është shtatzënë, është përgjegjur në mënyrë të ashpër në rrjetin Twitter.

“I dashuri John, ju admiroj dhe ju respektoj, por ju lutem mos më përfshini në deklaratat tuaja, që janë faktikisht të pabaza”, ka shkruar Williams.

Williams ka fituar më së shumti tituj Grand Slam në arenën profesionale në tërësi. Ajo i ka fituar pesë tituj më tepër se zvicerani, Roger Federer, që është tenisti më i sukseshëm në kategorinë e meshkujve, raporton agjencia Reuters.

XS
SM
MD
LG