Ndërlidhjet

Pentagoni: Qeveria siriane po përgatitet për sulm kimik


Zëdhënësi i Pentagonit, Jeff Davis.

Pentagoni tha se Shtetet e Bashkuara kanë parë prova të përgatitjes aktive të forcave të Qeverisë siriane për sulm të mundshëm me armë kimike.

Zëdhënësi i Pentagonit, Jeff Davis, tha se aktiviteti është zbuluar në bazën ajrore Shayrat të Sirisë – baza që është sulmuar me raketa nga SHBA-ja, në muajin prill.

Davis tha se inteligjenca amerikane ka zbuluar përgatitje që përfshijnë avionë specifikë, të cilët lidhen me përdorimin e armëve kimike.

Edhe Shtëpia e Bardhë tha të hënën se Qeveria e Sirisë duket se po përgatitet për një sulm me armë kimike.

Shtëpia e Bardhë tha se aktivitete të ngjashme janë parë përpara sulmit me agjentin nervor Sarin, që është kryer në muajin prill në qytetin Khan Sheikhoun.

Pas këtij sulmi, që ka lënë të vrarë dhjetëra njerëz, presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar sulme me raketa kundër bazës ajrore Shayrat të Sirisë.

Presidenti sirian, Bashar al Assad, ka thënë se sulmi kimik në Khan Sheikhoun ka qenë i fabrikuar.

“Siç e kemi thënë më herët, Shtetet e Bashkuara janë në Siri për të eliminuar (grupin militant) Shtetin Islamik. Nëse Assadi kryen vrasje të tjera masive, duke përdorur armët kimike, ai dhe ushtria e tij do të paguajnë çmim të lartë”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se Rusia dhe Irani – aleatë të Assadit në luftën civile të Sirisë – do të mbahen po ashtu përgjegjës nëse ndodh një sulm i tillë.

Klikoni edhe këtë:

Si do t'i përgjigjet bota helmimit të fëmijëve?

XS
SM
MD
LG