Ndërlidhjet

Irani i akuzon SHBA-të për “përshkallëzim të rrezikshëm” në Siri

  • RFE /RL

Irani i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “përshkallëzim të rrezikshëm” në Siri, pasi Uashigntoni ka tërhequr vërejtjen se presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, ndoshta është në përgatitje të një sulmi tjetër kimik, për të cilin, në rast se ndodhë, Damasku do të paguante “çmim të rëndë”.

“Një tjetër përshkallëzim i rrezikshëm amerikan në Siri me pretekst të rrejshëm”, ka shkruar dje në rrjetin Twitter, ministri i jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, dhe ka shtuar se kjo do t’i “shërbejë vetëm grupit Shteti Islamik, kur ai po çrrënjoset nga populli irakian dhe sirian”.

Akuzat e Iranit janë bërë derisa presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i është bashkuar presidentit amerikan, Donald Trump, për përgjigje të përbashkët kundër çfarëdo sulmi të ri kimik nga Siria.

Së bashku me Rusinë, Irani është aleati më i madh i presidentit sirian, Bashar al-Assad. Rusia, po ashtu, e ka kritikuar atë që Kremlini thotë se janë “kërcënime të papranueshme” të Uashingtonit.

Irani e furnizon Assadin me ushtarë, ndërsa Rusia e mbështet me forcë ajrore, në luftën e Assadit kundër kryengritësve dhe ekstremistëve të Shtetit Islamik.

Dje më herët gjatë ditës, Shtetet e Bashkuara thanë se Qeveria e Sirisë duket se po përgatit sulm me armatim kimik dhe ka tërhequr vërejtjen se Siria do “të paguante çmim shumë të rëndë”, nëse diçka e tillë ndodhë.

Pentagoni tha se ky aktivitet është detektuar në bazën ajrore të ushtrisë siriane, Shajrat.

Shtëpia e Bardhë tha se aktivitete të ngjashme ishin parë edhe para se gazi helmues sarin, ishte hedhur në qytetin Khan Sheikhoun, më 4 prill. Ky qytet ishte nën kontrollin e kryengritësve.

Dhjetëra njerëz ishin vrarë dhe kjo ka ndikuar që presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar sulm raketor kundër bazës Shajrat, prej nga, sipas Uashingtonit, ishin nisur aeroplanët luftarakë sirianë, gjatë sulmit në Khan Sheikhoun.

Qeveria në Damask e ka hedhur poshtë pohimin amerikan se po përgatit sulm kimik. Presidenti Bashar al-Assad, më herët ka thënë se incidenti në Khan Sheikhoun ishte i fabrikuar.

Gjatë një bisede të djeshme telefonike të presidentit francez, Emmanuel Macron, me presidentin amerikan, Donald Trump, Parisi është pajtuar për “nevojën e veprimit për përgjigje të përbashkët në rast të sulmeve kimike në Siri”, ka njoftuar presidenca e Francës.

Forcat amerikane e kanë shtuar praninë e tyre në Siri për afro një mijë ushtarë, gjatë muajve të fundit, derisa Pentagoni e ka shtuar fushatën e vet kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik, i cili sulmohet nga forcat e kryengritësve, që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara në qytetin Raka në Siri, që është bazë e fuqishme e Shtetit Islamik.

Por, forcat amerikane, po ashtu, i kanë intensifikuar edhe sulmet kundër forcave siriane dhe atyre që mbështeten nga Irani në këtë fushëbetejë.

Shtetet e Bashkuara i kanë rrëzuar disa fluturake pa ekuipazh të Iranit, i kanë bombarduar milicitë e mbështetura nga Irani, që janë aleate të qeverisë së Sirisë, dhe e kanë rrëzuar një aeroplan luftarak sirian, për të cilin Pentagoni tha se ishte përgatitur për t’i bombarduar trupat kryengritëse, që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë se vërejtja e fundit kundër sulmeve kimike të Sirisë, nuk është e drejtuar vetëm kundër Assadit, por ka të bëjë edhe me aleatët e tij.

“Qëllimi është në këtë pike, që jo vetëm Assadit t’i dërgohet mesazh, por edhe Rusisë dhe Iranit”, tha ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley.

Assadi nuk u është përgjigjur kërcënimeve amerikane, derisa e ka vizituar një bazë ajrore në pjesën perëndimore të Sirisë, ku gjenden ushtarët dhe aeroplanët e Rusisë.

I shoqëruar nga shefi i shtamadhorisë së ushtrisë ruse, gjenerali Valery Gerasimov, presidenti Assad është ngjitur në kabinën e aeroplanit luftarak rust të tipit, Su-35.

“Populli i Sirisë nuk do ta harrojë mbështetjen e vëllezërve të tyre rusë”, ka shkruar Assadi në librin e kujtimeve në këtë bazë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG