Ndërlidhjet

BE-ja zyrtarisht i ka zgjatur sanksionet kundër Rusisë


Ilustrim i sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian sot edhe zyrtarisht i kanë zgjatur sanksionet ekonomike kundër Rusisë edhe për gjashtë muaj.

Javën e kaluar, gjatë një takimi dyditësh në Bruksel, shefat e shteteve dhe të qeverive të 28 vendeve anëtare të BE-së, janë pajtuar për zgjatjen e sanksioneve deri më 31 janar të vitit të ardhshëm.

Në këtë samit, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i kanë informuar zyrtarët e tjerë të lartë të shteteve anëtare, se në ç’mënyrë forcat qeveritare të Ukrainës dhe separatistët e mbështetur nga Rusia në pjesën lindore të Ukrainës, po i respektojnë marrëveshjet e Minskut të arritura në vitin 2015, që kanë për qëllim përfundimin e konfliktit.

Prej prillit të vitit 2014, kur ka filluar ky konflikt, e deri tash, janë vrarë më se 10 mijë njerëz.

Diplomatët e Bashkimit Evropian i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se në mesin e shteteve anëtare ka pajtueshmëri të gjërë për qëndrim të ashpër ndaj Moskës lidhur me Ukrainën, derisa në të njejtën kohë, duhet mbetur të hapur për dialog dhe për çështje të tjera të politikës së jashtme.

Sanksionet ekonomike të BE-së kundër Rusisë, që kryesisht janë të fokusuara në sektorin bankar dhe atë financiar, së pari ishin imponuar nga Brukseli në verë të vitit 2014, si përgjigje ndaj aneksimit ilegal të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë dhe për shkak të mbështetjes së Rusisë ndaj separatistëve në pjesën lindore të Ukrainës.

XS
SM
MD
LG