Rusia nuk do të jetë në gjendje të arrijë rritje të fuqishme ekonomike, derisa lidhjet e saj me perëndimin, që janë ngrirë për shkak të sanksioneve ekonomike, nuk fillojnë të shkrihen, tha mbrëmë, këshilltari i lartë ekonomik i Kremlinit, Aleksei Kudrin.
“Kërkesa e brendshme nuk do të sjellë rritje ekonomike prej 3 e deri në 4 përqind”, tha Aleksei Kudrin, ish-ministër i ekonomisë së Rusisë, i cili tash e udhëheq Qendrën për Kërkime Strategjike në Moskë dhe joformalisht e këshillon Kremlinin.
Duke folur në Forumin Primakov në Moskë, zoti Kudrin tha se Rusia duhet t’i zhvilloj tregjet e eksportit edhe për artikujtë e tjerë, e jo vetëm për gazin dhe naftën, nëse shpreson që të dalë nga ajo që ai e vlerëson si “dekadë e humbur” e rritjes ekonomike dhe kthim në listën e 10 ekonomive më të mira në botë.
“Këto detyra nuk mund të zgjidhen pa përmirësimin e raporteve me vendet perëndimore”, që kanë teknologji dhe burime financiare, e të cilat i nevojiten Rusisë për të pasur sukses, tha ai.
“Është e domosdoshme për të gjetur hapa drejt njëri-tjetrit nga të dy palët dhe për t’i lënë anash ambiciet dhe keqtrajtimet...jam i sigurt se kjo është e mundshme”, tha Aleksei Kudrin, të cilit i ishte pranuar kontributi për ndihmë në realizimin e ngritjes ekonomike prej 7% në vit, gjatë dy mandateve të para të presidentit, Vladimir Putin.
Por, sipas të dhënave të Bankës Botërore, gjatë dekadës së kaluar, rritja ishte vetëm 1%, ndërsa recesioni i thellë në vitin 2015 dhe 2016 kishte shkaktuar që Rusia të largohet nga lista e 10 vendeve me ekonomi më të zhvilluar në botë.
Derisa presidenti Putin aktualisht kishte kërkuar që Kudrin ta përpiloj një plan të ri ekonomik për realizim të rritjes prej afro 3%, të cilin Kudrin e kishte paraqitur muajin e kaluar në Forumin Ekonomik në Shën Petersburg, deri tash presidenti nuk e ka marrë parasysh këtë plan të Kudrinit.
Një raport i publikuar nga qendra kërkimore e Kudrinit këtë javë, thotë se Rusia po e humbë konfrontimin me perëndimin, i cili do të vazhdoj të jetë makina kryesore për rritje ekonomike botërore në të ardhmen e afërt.
Fokusi aktual i Moskës në rritjen e fuqisë ushtarake është një shkëputje nga reforma ekonomike dhe përpjekjet për modermizim të nevojshme për përmirësim të efektshmërisë ekonomike, theksohet në raport.
Instituti i zotit Kudrin, po ashtu, ka theksuar se Rusia duhet të përpiqet ta minimizoj rrezikun e konflikteve të armatosura, të punoj për sigurimin e zgjidhjes hap pas hapi të konflikteve në ish-shtetet sovjetike, e veçanërisht në pjesën lindore të Ukrainës, dhe të synoj tërheqje graduale të sanksioneve reciproke me perëndimin, duke u kthyer në bashkëpunim të plotë ekonomik.
Derisa Putini nuk e ka marrë asnjërin prej propozimeve të Kudrinit, kohëve të fundit ai ka pranuar se sanksionet ekonomike të imponuara nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, për shkak se Rusia ilegalisht e ka aneksuar Krimenë e Ukrainës, në vitin 2014, e kanë dëmtuar ekonominë ruse.
Më tutje, agjencia Bloomberg ka raportuar se Aleksei Kudrin privatisht i ka thënë Putinit muajin e kaluar në Forumin në Shën Petersburg, se rrëshqitja ekonomike e Rusisë e vë në rrezik rëndësinë gjeopolitike, e cila është e rëndësishme për presidentin Putin.
“Rusia në mënyrë katastrofike po humbë kohë”, ka thënë Kudrin muajin e kaluar në Forumin në Sën Petersburg dhe ka shtuar se “për fat të keq, autoritetet vetëm ngadalë po e kupojnë se ndryshimet strukturore janë të domosdoshme”.
Ish-ministri tjetër i ekonomisë, Yevgeny Yasin, po ashtu, njëri nga ideologët e tranzicionit të Rusisë nga komunizmi në kapitalizëm, i tha agjencisë Bloomberg se dyshon se Kremlini do ta pranojë planin e Kudrinit për ekonomi të fuqishme.
Mund të thuhet se një pjesë e presionit për ndryshime tashmë nuk është aktual, pasi ekonomia në këtë moment po realizon një ripërtëritje modeste nga recesioni, në saje të rritjes së çmimeve të gazit dhe naftës vitin e kaluar.
“Autoritetet nuk do të rrezikojnë me ndryshime fundamentale tash, pasi ka shumë njerëz rreth Putinit, që nuk janë të interesuar për ato”, tha Yasin dhe ka shtuar se “reformat nuk u mundësojnë elitave udhëheqëse që t’i kenë të gjitha përfitimet dhe privilegjet, të cilët ata i gëzojnë aktualisht”.
Facebook Forum