Ndërlidhjet

Vendet arabe kërcënojnë me masa të reja kundër Katarit


Katar
Katar

Katër vendet arabe që po udhëheqin sanksionet kundër Katarit, kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin masa të reja kundër tij.

Në një deklaratë të lëshuar të premten, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Bahrejni akuzuan Dohan për vazhdimin e, siç thanë, "politikave që destabilizojnë sigurinë në rajon".

Ato u zotuan se "do t'i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme politike, ekonomike dhe ligjore kundër Katarit, në kohën e duhur".

Ato nuk dhanë detaje se çfarë mund të përfshijnë këto masa.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se sekretari i shtetit, Rex Tillerson, do të udhëtojë në rajon, në përpjekje për të ndërmjetësuar zgjidhjen e konfliktit.

Katër vendet, muajin e kaluar, kanë ndërprerë lidhjet diplomatike dhe të udhëtimit me Katarin, duke e akuzuar për mbështetje të terrorizmit dhe lidhje me rivalin rajonal - Iranin.

Ato kanë krijuar një listë prej 13 kërkesash dhe kanë kërcënuar me sanksione të mëtejshme nëse Katari nuk i përmbush ato.

Në mesin e kërkesave kanë qenë: ndalimi i financimit të terrorizmit, mbyllja e rrjetit televiziv Al Jazeera, ndërprerja e shumicës së lidhjeve me Iranin dhe mbyllja e një baze ajrore turke.

Katarasit i kanë hedhur poshtë akuzat dhe kanë thënë se ato janë bërë "për të krijuar ndjenja kundër Katarit në Perëndim".

XS
SM
MD
LG