Ndërlidhjet

KQZ: Koalicioni PAN me numrin më të madh të ulëseve në Kuvend


Koalicioni PAN duke festuar në ditën e zgjedhjeve pas publikimit të rezultateve preliminare.
Koalicioni PAN duke festuar në ditën e zgjedhjeve pas publikimit të rezultateve preliminare.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuara rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Kosovës, të cilat janë mbajtur me 11 qershor.

Kryetarja e Komisionit qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se koalicioni i 12 subjekteve politike, i njohur si koalicioni PAN, të cilit i prijnë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë fituar përqindjen më të madhe të votave në zgjedhjet e 11 qershorit.

“Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën... , kanë fituar në këto zgjedhje gjithsej 245 mijë e 627 vota apo 33. 75 për qind. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 200 mijë e 135 vota apo 27. 49 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e re ka fituar 185 mijë e 884 vota apo 25. 53 për qind. Iniciativa qytetare Lista Serbe ka fituar 44 mijë e 499 vota apo 6. 11 për qind”, ka thënë Daka.

Bazuar në përqindjen e votave të fituara në zgjedhjet e përkohshme nga subjektet politike, Daka ka shpjeguar edhe numrin e ulëseve të fituara nga subjektet politike në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120 ulëse. Me numrin më të madh të ulëseve në Kuvend prin koalicioni i 12 subjekteve politike, i njohur si koalicioni PAN.

“Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën ka fituar gjithsej 39 ulëse. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 32 ulëse. Lidhja Demokatike e Kosova, Aleanca Kosova e re ka fituar 29 ulëse. Inciativa qytetare Lista Serbe ka fituar 9 ulëse. Partia Demokratike Turke e Kosovës ka fituar 2 ulëse dhe koalicioni ‘Vakat’ ka fituar 2 ulëse”, ka sqaruar ajo.

Daka ka shtuar se nga një ulëse në Kuvendin e Kosovës, e kanë siguruar edhe subjektet politike që përfaqësojnë komunitetet pakicë në vend, sikurse Partia e Re Demokratike, Partia e Pavarur Liberale, Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës, Partia Liberale Egjiptiane, Partia e Unike e Goranëve, Partia e Ashkalive për Integrim dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

Certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit e ka përshëndetur përfaqësuesjaspeciale e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Përmes një komunikate për medie, ajo ka përgëzuar popullin e Kosovës dhe institucionet, për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe se tani “është përgjegjësi e udhëheqësve politikë të dëgjojnë qytetarët e tyre dhe të formojnë një qeveri të qëndrueshme që do t' i shërbejë interesave të popullit”.

“Pa marrë parasysh se kush e formon qeverinë e re, BE-ja prêt një përshpejtim dhe zbatim të agjendës për reforma të BE-së. Kosova ka një perspektive të qartë evropiane. Njerëzit e Kosovës presin një udhëheqje të përgjegjshme që do të bëjë përparime të rëndësishme përgjatë rrugës evropiane. Tani u takon atyre udhëheqësveqë ta bëjnë këtë”,thuhet në deklaratën e Apostolvas.

Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë, të drejtë vote kanë pasur mbi 1 milion e 800 mijë banorë, nga të cilët në zgjedhje dolën mbi 747 mijë votues apo 41.30 për qind e pjesëmarrjes.

Certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, tashmë i hap rrugë konstituimit të Kuvendit të Kosovës, seanca konstituive e të cilit, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, duhet të mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, vetëm koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës mund të propozojnë Kryetarin e Kuvendit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dy ditë më parë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pas certifikimit të rezultatit zgjedhor do të ulet me spektrin politik dhe bashkërisht të caktohet data e konstituimit të Kuvendit dhe themelimit të Qeverisë së re. Ai ka theksuar se ka marrë konfirmimin nga koalicioni fitues i zgjedhjeve dhe mandatari për kryeministër se Qeveria e ardhshme e Kosovës do të formohet pa vonesa.

Megjithatë, zgjedhja e Qeverisë mund të kalojë edhe në rrethin e dytë, nëse në përpjekjen e parë dështohet të sigurohet përkrahja prej 61 votash në Kuvend. Hera e dytë, mbetet në diskrecionin e Presidentit që të vendos se kujt do t’ia jap mandatin, pa kufizimin që mandatin t’ia japë partisë së dytë apo të tretë, varësisht nga subjekti politik i cili ia dëshmon Presidentit se ka numrin e nevojshëm të votave për ta zgjedhur Qeverinë, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet e reja të parakohshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG