Ndërlidhjet

Siguria kibernetike, Trump zmbrapset nga ideja e bashkëpunimit me Rusinë


Presidenti amerikan, Donald Trump (djathtas) dhe ai rus, Vladimir Putin, gjatë takimit në Hamburg, më 7 korrik.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u zmbraps nga propozimi i tij për të punuar me presidentin rus, Vladimir Putin, në krijimin e një njësie të sigurisë kibernetike, e cila do t'i parandalonte sulmet e hakerëve dhe ndërhyrjet në zgjedhje.

"Fakti se presidenti Putin dhe unë kemi diskutuar për njësinë e sigurisë kibernetike, nuk do të thotë se ajo do të ndodhë. Nuk mund të ndodhë, por armëpushimi mund dhe ka ndodhur", shkroi Trump në Twitter, duke iu referuar armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Rusia për pjesën jugore të Sirisë.

Trump, i cili ka takuar Putinin më 7 korrik, në margjina të samitit të G20-ës në Hamburg, tha më herët në Twitter se ai dhe Putini kanë diskutuar për një njësi të sigurisë kibernetike, e cila do të parandalonte ndërhyrjet në zgjedhje.

Lindsey Graham, republikan nga Karolina e Jugut, kritik i shpeshtë i presidentit, tha se propozimi fillestar i Trumpit, për të punuar me Rusinë për sigurinë kibernetike, "nuk është ideja më e marrë që ka dëgjuar, por diçka shumë afër saj".

Agjencitë e zbulimit në SHBA kanë konstatuar se Rusia, me gjasë nën urdhrat e Putinit, ka ndërhyrë në fushatën e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, më 2016, për t'i forcuar shanset e Trumpit përballë rivales së tij demokrate, Hillary Clinton.

Putin i ka hedhur poshtë akuzat.

XS
SM
MD
LG