Ndërlidhjet

Gjykata shpall dënimet ndaj të akuzuarve për rastin ‘Badovci’


Pallati i Drejtësisë
Pallati i Drejtësisë

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur sot Aktgjykimin në çështjen penale ndaj të akuzuarve B.L, G.H, M.H, E.L., të cilët në bashkëkryerje me të akuzuarin B.I., i cili gjendet në arrati, kanë kryer veprën penale: shtytje për kryerjen e veprave terroriste në tentativë.

Kurse, ndaj të akuzuarit F.M. është shqiptuar dënimi për veprën penale që ka të bëjë me ndihmën në kryerjen e veprës penale: shtytja për kryerjen e veprave terroriste në tentativë.

I akuzuari B.L është shpallur fajtor dhe është dënuar me burg në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e gjashtë (6) muaj. Kurse, të akuzuarit G.H, M.H dhe E.L. po ashtu janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me burg në kohëzgjatje prej tre (3) vjet e gjashtë (6) muaj.

I akuzuari F.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me burg në kohëzgjatje prej tre (3) vjetësh.

Ky grup është shpallur fajtor pas marrëveshjes paraprake, sipas së cilës, ata kishin përgatitur veprën penale terroriste, “ashtu që më datën 10.07.2015, rreth orës 23.30 në afërsi të liqenit të Badovcit (në afërsi të Prishtinës), që me ikonografinë e territorit të organizatës terroriste ISIS kishin pasur qëllim të incizojnë një video propaganduese dhe që të lexojnë betimin ndaj udhëheqësit të kësaj organizate terroriste dhe që të bëjnë publikimin e kësaj videoje në internet, për të dëshmuar para botës shtrirjen e të ashtuquajturit ”Shteti islamik”, në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Gjykata konfirmon se koha e kaluar në paraburgim për të gjithë të akuzuarit nga data 11.07.2015 e tutje do t’iu llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim, andaj është vazhduar masa e paraburgimit ndaj të akuzuarve deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

XS
SM
MD
LG