Ndërlidhjet

Trump: Transgjinorët nuk mund të shërbejnë në ushtri


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se njerëzit transgjinorë nuk mund të shërbejnë “në asnjë kapacitet” në ushtri.

Në një postim në Twitter, Trump tha se ai ka konsultuar ekspertët ushtarakë dhe se vendimi i tij ka për qëllim të shmangë “shpenzimet e jashtëzakonshme mjekësore dhe përçarjen” që mund të shkaktojë prania e tyre.

Administrata Obama ka vendosur vitin e kaluar që t'i lejojë njerëzit transgjinorë të shërbejnë hapur në ushtri.

Por, në muajin qershor, sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, e ka shtyrë për gjashtë muaj planin për të nisur rekrutimin e njerëzve transgjinorë.

Çështja e të drejtave të transgjinorëve në Amerikë ka qenë gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes në muajt e fundit, veçanërisht për atë se si shtetet e rregullojnë përdorimin e tualeteve publike.

Administrata Trump është përballur me protesta në fillim të këtij viti, pasi ka tërhequr mbrojtjen federale – nga epoka e administratës Obama - që u ka mundësuar shkollave të lejojnë studentët transgjinorë të përdorin banjën që korrespondon me identitetin e tyre gjinor, e jo me gjininë në certifikatën e tyre të lindjes.

XS
SM
MD
LG