Ndërlidhjet

OKB: Miratohen sanksione të reja kundër Koresë Veriore


Ambasadorja amerikane në OKB Nikki Haley

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbrëmë ka votuar unanimisht për imponimin e sanksioneve më të ashpra deri tash kundër Koresë Veriore, për shkak të programit raketor të këtij vendi.

Në këto sanksione përfshihet edhe masa e ndalimit të eksportit në vlerë prej 1 miliard dollarësh, që është një e treta e eksportit total të Koresë Veriore, i cili vitin e kaluar arriti shumën prej 3 miliardë dollarëve.

Gjatë muajit të kaluar, Koreja Veriore i ka kryer dy prova të raketave balistike ndërkontinentale (ICBM), duke pretenduar se tash ka kapacitet për të lansuar sulm kundër Shteteve të Bashkuara.

Kjo rezolutë ishte propozuar nga Shtetet e Bashkuara.

Pas votimit, ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, tha se “duhet aksion i mëtejshëm” dhe ka shtuar se “Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin dhe do të vazhdojnë të ndërmarrin masa të kujdesshme defensive për mbrojtjen e vendit tonë dhe të aleatëve tanë”.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, ka tërhequr vërejtjen se sanksionet duhet të shihen si mjet për angazhimin e Koresë Veriore në negociata, e jo që ato të jenë “qëllimi i vetëm”.

XS
SM
MD
LG