Ndërlidhjet

Trump përsëri i fajësoi të “dy palët” për dhunën në Virgjinia


Donald Trump

Një ditë pasi e shpalli racizmin se është “djallëzor”, presidenti amerikan, Donald Trump, mbrëmë përsëri i ka fajësuar “të dy palët” për dhunë, që shpërtheu në një tubim gjatë fundjavës të organizuar nga supremacistët e bardhë në Sharllotsvill në Virgjinia.

“Ju e keni një grup në njërën anë, që ishte shumë shumë i keq, dhe ju e keni një grup tjetër në anën tjetër, që ishte shumë, shumë i dhunshëm”, u tha Trump gazetarëve gjatë vizitës në ndërtesën, Trump Tower, në Nju Jork.

Ai tha se ka pasur njerëz “problematikë” në mesin e asaj që ai i cilësoi si kundërdemonstrues “të majtë alternativë” në këtë tubim, që ishte organizuar nga neo-nazistët, Klani Ku Klux dhe nga supremacistët e bardhë, dhe ata të majtë, të pajisur me shkopinj dhe që synonin konfrontim të dhunshëm.

Në pamjet e përleshjeve ndërmjet dy grupeve dukej se si të dy palët ishin të pajisur me shkopinj të bejzbollit dhe mburoja, derisa këmbenin goditje. Protestuesit antifashistë patën thënë se ata kishin planifikuar shkatërrimin e tubimit të krahut të djathtë.

“Ata i dolën njëri-tjetrit me shkopinj dhe kjo ishte e tmerrshme dhe tejet brutale.”, tha Trump dhe shtoi se “protestuesit e krahut të majtë “e sulmuan në mënyrë të dhunshme grupin tjetër”.

Këto komente të presidentit Trump ishin një lloj jehone i deklaratës së tij të parë më 12 gusht se “shumë palë” i kontribuan dhunës. Dështimi i tij fillestar që t’i fajësojë grupet e krahut të djathtë për përhapjen e dhunës, ka shkaktuar kritika të ashpra. Këto kritika kanë çuar që ai më 14 gusht në mënyrë të qartë i dënoi organizuesit e tubimit për racizëm dhe urrejtje, duke thënë se grupet e këtilla janë “të papranueshme për gjithçka që për ne si amerikanë është e çmueshme”.

XS
SM
MD
LG