Ndërlidhjet

Arrestohen tre marokenë dhe një spanjoll pas sulmeve në Spanjë


Policia spanjolle ka thënë se tre persona me shtetësi marokene, dhe një spanjoll janë arrestuar, me dyshimin se kanë lidhje me sulmin e pasdites së ditës së enjte, në të cilin kanë vdekur 14 persona.

Sulmi ka ndodhur në qendër të Barcelonës, Las Ramblas, derisa autoritetet kanë thënë, se rreth 100 persona janë lënduar, por numri mund të rritet.

Policia në rajonin e Katalunisë, ka thënë se drejtuesi i furgonit që është përplasur në njerëz, në qendër të Barcelonës, mund të jetë në mesin e pesë të dyshuarve të vrarë nga policia, gjatë një sulmi tjetër në qytetin bregdetar, Cambrils.

Udhëheqësi i policisë së Katalonisë, ka thënë sot përmes një konference për media, se ndonëse “kanë gjurmë”, ende nuk kanë, “ fakte konkrete”.

Të arrestuarit e dyshuar janë të moshës 21-34 vjeçare.

Policia ka thënë se incidenti në Cambrils ka qenë i lidhur më sulmin në Barcelonë.

Zyrtarë spanjollë kanë thënë se e kanë parandaluar sulmin e dytë terrorist, në këtë qytet, në jug të Barcelonës.

Ndërkohë është duke vazhduar aksioni nga policia spanjolle, pas sulmit në Las Ramblas, në kërkim të autorëve të sulmit.

Mijëra persona, në mesin e tyre edhe Mbreti Felipe VI dhe kryeministri Mariano Rajoy, kanë mbajtur një minutë heshtje, sot në mesditë, në sheshin kryesor të Barcelonës "Plaza de Catalunya", për të nderuar viktimat e sulmit terrorist.

Minutë heshtje në Plaza de Catalunya në homazh për viktimat e sulmeve në Barcelonë dhe Cambrils. Të bashkuar kundër terrorit”, ka shkruar Rajoy në Twitter.

Policia ka dyshime se ky sulm ka qenë vetëm njëri prej disa sulmeve tjera të planifikuara.

Disa orë pas sulmit, policia ka thënë se i ka vrarë pesë “terroristët”, të cilët kanë tentuar të kryejnë një sulm të ngjashëm.

Policia, ka thënë, se gjashtë civilë dhe një zyrtar policor janë lënduar në Cambrils.

Rripat me eksplozivë, të cilët janë gjetur në trupat e personave të vrarë nga policia në qytetin bregdetar, Cambrils, nuk kanë qenë të vërtetë, ka thënë kreu i këtij rajoni, Carles Puigdemont, për radion RAC1.

Grupi militant, Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, ka marrë pjesë në një takim emergjent në Barcelonë për të koordinuar hetimet rreth sulmit terrorist.

Rajoy ka udhëtuar drejt Barcelonës, të enjtën në mbrëmje, pas sulmit në qendër të këtij qyteti.

Ai është takuar sot në mëngjes me ministrin e Brendshëm të Spanjës dhe me zyrtarë të policisë dhe emergjencës.

Kryeministri, ka thënë përmes Twitterit, se takimi ka pasur për qëllim, “analizimin e detajeve të fundit të ngjarjeve në Barcelonë dhe Cambrils”.

Autoritetet spanjolle kanë thënë se personat nga të paktën 24 shtete, kanë qenë në mesin e viktimave.

Pak kohë pas sulmit, policia ka arrestuar dy persona, njëri me nacionalitet spanjoll dhe tjetri maroken, mirëpo ka thënë se drejtuesi i furgonit është larguar dhe ende është në kërkim.

Policia ka thënë se sulmi me furgon ishte i lidhur me një shpërthim në një shtëpi në Alcanar, më herët gjatë ditës së djeshme, nga i cili një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar, derisa personat ishin duke krijuar eksplozivë.

Më herët, kryeministri spanjoll, Rajoy, ka thënë se “terroristët kurrë nuk do të mund të shkatërrojnë njerëzit e bashkuar, të cilët e duan më shumë lirinë sesa barbarizmin”.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, furgonat janë përdorur në shumë sulme të ndryshme në Evropë, dukë lënë të vdekur më shumë se 100 persona, në Nicë, Berlin, Londër dhe Stokholm.

XS
SM
MD
LG