Ndërlidhjet

Në Kosovë sot ditë zie


Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi
Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka shpallur ditën e sotme, ditë zie në shenjë respekti pas vdekjes së ish-kryeministrit Bajram Rexhepi.

“Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e martë, 22 gusht 2017, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas vdekjes të Dr. Bajram Rexhepi, veteran i UÇK –së, ish-kryetar i Komunës së Mitrovicës, ish-kryeministër i Kosovës, ish-ministër i Punëve të Brendshme, ish-deputet i Republikës së Kosovës dhe kirurg”, thuhet ndër tjerash në vendimin e presidentit Thaçi.

Me vendim të presidentit Thaçi, flamujt shtetëror janë ulur në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ndërroi jetë në Turqi ku po trajtohej pas një goditjeje në tru që nga muaji prill i këtij viti. Ai ishte trajtuar fillimisht në Prishtinë për t'u transferuar më pas në Turqi. I lindur në Mitrovicë më 3 qershor të vitit 1954, zoti Rexhepi për një kohë të gjatë punoi si kirurg në atë qytet dhe në këtë cilësi i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në mars të vitit 2002 ai u bë kryeministri i parë i Kosovës pas zgjedhjeve të para të përgjithshme të vitit 2001 dhe drejtoi Qeverinë e koalicionit të gjerë deri në vitin 2004.

XS
SM
MD
LG