Ndërlidhjet

Mattis: Rusia synon “ripërcaktim të kufijve” me forcë


Jim Mattis (majtas) dhe Petro Poroshenko gjatë konferencës së sotme për shtyp në Kiev të Ukrainës

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, e ka akuzuar Rusinë se synon “ripërcaktimin e kufijve ndërkombëtarë me forcë” dhe ka përsëritur se Uashingtoni “nuk do ta pranoj” aneksimin e Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë.

“Ne nuk e pranojmë dhe nuk do ta pranojmë aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, dhe përkundër mohimit të Rusisë, ne e dimë se ata synojnë ripërcaktim të kufijve ndërkombëtarë me forcë, duke e shkatërruar sovranitetin dhe vendet e lira në Evropë. Rusia ka marrë përgjegjësi kur e ka pranuar Marrëveshjen e Minskut për armëpushim, e cila bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe për tërheqje të të gjitha armatimeve të rënda dhe për të garantuar që Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, të ketë qasje të papenguar sipas Marrëveshjes së Minskut”, tha Jim Mattis, gjatë një konference të përbashkët për gazetarë në Kiev, me presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko.

Mëtutje ai ka theksuar se “nuk ka dyshim se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Ukrainën”.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, tha se ai në mënyrë aktive po e shqyrton mundësinë që Shtetet e Bashkuara të dërgojnë armatim vdekjeprurës për Ukrainën, dhe do ta informoj presidentin, Donald Trump, për qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje.

Sekretari Mattis tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për përpjekje diplomatike për zgjidhjen e konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës.

Prej prillit të vitit 2014, në luftimet ndërmjet forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, janë vrarë më tepër se 10 mijë vetë.

XS
SM
MD
LG