Ndërlidhjet

Vetëvendosje hedh poshtë akuzat e PDK-së për sulm ndaj bashkëshortes së Stavilecit


Partia Demokratike e Kosovës, gjatë një konference për media, ka bërë të ditur se është sulmuar bashkëshortja e zëdhënësit të PDK-së, Blerand Stavileci.

Uran Ismajli, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se bashkëshorten e Stavilecit e kanë sulmuar aktivistë të Vetëvendosjes.

“Sot në mesditë kriminalet e Vetëvendosjes kanë sulmuar dhe rrahur brutalisht bashkëshorten e Ministrit Bleranad Stavileci, zonja Vitore para se të jetë bashkëshorte e një politikani është nënë. Ajo pas lëndimeve të marra po trajtohet në QKUK”, tha ai.

Blerandi Stavileci ka shtuar Ismajli ka qenë një nga zërat më të theksuar për mospunën dhe keqpërdorimet e shumta në komunën e Prishtinës, nga zyrtarët më të larta të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Pas sulmit fizik, Vitores i është thënë që t’i përcjell porosi të qarta Blerandit duke i thënë që të mos flet shumë dhe se të shohim a do të flet pas këtij veprim”, thekson Ismajli.

PDK ka kërkuar nga organet e rendit që të kapin autorët e sulmit dhe vënien e tyre para drejtësisë.

Sipas policisë “V.S., femër, shtetase e Republikës së Kosovës, e cili ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta është dërguar për tretman mjekësor, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”.

Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes si dhe përfundimit të procedurave fillestare nga ana e Policisë, vijon komunikata, puna hetimore është fokusuar në identifikimin e personave të dyshuar me qëllim kapjen e tyre si dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.

Ajo është sulmuar gjatë ditës në një nga lagjet e Prishtinës.

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosjes përmes rrjeteve sociale kanë reaguar për sulmin ndaj bashkëshortes së Stavalicit, duke shprehur keqardhje dhe duke hedhur poshtë akuzat që u janë bërë nga PDK.

Dardan Sejdiu deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka shkruar në Facebook se PDK pa asnjë fakt po akuzon Vetëvendosjen në lidhje me këtë rast, duke ndërhyrë kështu në punën e organeve kompetente.

"Janë për keqardhje deklaratat e zyrtarëve të lartë të PDK'së që pa asnjë fakt akuzojnë Vetëvendosjen në lidhje me këtë rast, duke ndërhyrë në punën e organeve kompetente, që do të duhej sa më parë ta zbardhnin këtë akt kriminal. Ngutia e PDK'së për të akuzuar aktivistët e VV'së nuk përbën vetëm papjekuri të skajshme politike, por edhe lë hapësirë për dyshime rreth inskenimeve të mundshme qëllimkëqija, çka me siguri se nuk do të përbënte risi", ka shkruar Sejdiu.

Sulmin ndaj bashkëshortes së Stavilecit e ka dënuar edhe kryeministri në largim, Isa Mustafa.

Po ashtu ka reaguar nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Sulmi ndaj bashkëshortes së zëdhënësit të Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci është i papranueshëm dhe qyqar. Është sulmi ndaj një nëne, ndaj një gruaje dhe mbi të gjitha ndaj një qytetare të Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj në rrjetin social Facebook.

Policia në konsultim me Prokurorinë po e cilëson këtë rast si lëndim trupor.

XS
SM
MD
LG