Ndërlidhjet

Rriten kritikat për heshtjen e lideres Suu Kyi


Malala Yousafzai (majtas) dhe Aung San Suu Kyi

Fituesja e çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai, dje i ka bërë thirrje lideres civile në Birmani, Aung San Suu Kyi, për ta dënuar dhunën kundër myslimanëve Rohingia në këtë vend, duke thënë se “bota pret” ta dëgjoj këtë nga ajo.

Suu Kyi, ishte po ashtu, fituese e Çmimit Nobel për Paqe.

“Më duhet përsëri ta dënoj këtë trajtim tragjik dhe të turpshëm”, ka shkruar Malala në rrjetin Twitter dhe ka shtuar se “ende po pres që kolegia ime, e cila e ka fituar Çmimin Nobel, Aung San Suu Kyi, ta bëjë të njejtën gjë”.

Kritika në adresë të zonjës Suu Kyi, nga grupet për të drejtat të njeriut, kryesisht në vendet myslimane, janë shtuar pasi ajo nuk është shprehur për këtë çështje, ndërsa disa kritikë kanë bërë thirrje që Komiteti i Nobelit ta tërheq vendimin me të cilin asaj i ishte dhënë Çmimi Nobel.

Mbrojtësit e zonjës Suu Kyi, e cila dikur ishte e burgosur politike e regjimit ushtarak në Mianmar, që njihet edhe si Birmani, thonë se ajo ka mundësi të kufizuara për ta kontrolluar ushtrinë.

Dhuna aktuale ka filluar kur një grup i vogël i kryengritësve Rohingia, e kishte sulmuar policinë më 25 gusht.

Pas kësaj dite, gjatë përleshjeve janë vrarë së paku 400 vetë.

Zyrtarët e Mianmarit i fajësojnë militantët Rohingia për djegien e shtëpive dhe vrasjeve të civilëve, por monitoruesit e të drejtave të njeriut dhe pjesëtarët e këtij minoriteti thonë se ushtria e Birmanisë po përpiqet t’i detyroj ata që të largohen me fushatë të zjarrvënies dhe vrasjeve.

XS
SM
MD
LG