Ndërlidhjet

Guterres: K. Veriore – kriza më e keqe “për vite”


Antonio Guterres
Antonio Guterres

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, thotë se kontesti lidhur me programet atomike dhe të raketave balistike të Koresë Veriore, është kriza më e keqe në botë “për vite”.

“Ne do të shpresojmë se serioziteti i këtij kërcënimi na vendos në rrugën e arsyes para se të jetë shumë vonë”, tha Antonio Guterres, gjatë një interviste për gazetën franceze, Le Journal du Dimanche.

Kjo është kriza më serioze me të cilën ne jemi ballafaquar për vite”, tha Guterres, duke shtuar se për këtë arsye është “shumë i brengosur”.

Më tutje ai theksoi se “në të kaluarën ne kemi pasur luftëra, që ishin iniciuar pas vendimeve të menduara mirë”, tha Guterres, dhe është shprehur se “ne po ashtu, e dimë se konfliktet e tjera kishin filluar nëpërmjet një përshkallëzimi të shkaktuar nga gjendja e përgjumur”.

Zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se është e rëndësishme që Pheniani ta përfundoj zhvillimin e programeve të veta atomike dhe të raketave balistike dhe t’i respektoj rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Ne me çdo çmim duhet ta ruajmë unitetin e Këshillit të Sigurimit, pasi është i vetmi mjet që mund të ndërmerr nismë diplomatike me gjasë për sukses”, tha Guterres.

Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë paraqitur një kërkesë formale për votim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për propozim-rezolutën amerikane, për imponim të sanksioneve të reja dhe tejet të ashpra ekonomike kundër Koresë Veriore, për shkak të testit të saj të fundit atomik. Kina dhe Rusia e kundërshtojnë këtë lëvizje amerikane.

Me këtë dokument, për të cilin misioni amerikan në OKB thotë se dëshiron që këshilli të votojë për të më 11 të këtij muaji, do të imponohej embargo për naftë në Korenë Veriore, ndalesë e eksporteve të tekstilit veri-korean dhe moslejim të punësimit të jashtëm të punëtorëve nga Koreja Veriore, kryesisht në Rusi dhe në Kinë, kanë raportuar mediet e Shteteve të Bashkuara.

Raportohet, po ashtu, se do të imponohej edhe ngrirje e pasurisë dhe ndalim i udhëtimit të liderit veri-korean, Kim Jong Un.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se dëshirojnë sanksione të ashpra për ta rritur presionin maksimal kundër Phenianit, që të pajtohej për negociata për përfundimin e testeve atomike dhe raketore.

Diplomatët e Kombeve të Bashkuara thonë se propozimet e fundit të Shteteve të Bashkuara do të ishin sanksionet më të ashpra, që janë imponuar deri tash ndaj Koresë Veriore, për ndëshkim ndaj testit të gjashtë dhe më të madh atomik më 3 të këtij muaji.

Agjencitë e lajmeve, Reuters dhe AFP, i kanë cituar burimet diplomatike, që kanë shprehur dyshime se Kina ose Rusia, që kanë të drejtë të vetos, do të pranonin diçka më të ashpër se ndalesë e importit të tekstilit të Koresë Veriore.

Zyrtarët kinezë kanë shprehur shqetësim se imponimi i embargos së naftës mund të shkaktojë jostabilitet në Korenë Veriore.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se masa të tilla të ashpra, më tepër do t’i dëmtonin shtetasit e varfër veri-koreanë, se sa qeverinë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG