Ndërlidhjet

Moskë: Aktivisti Udaltsov u lirua pasi u mbajt në polici për 90 minuta


Sergei Udaltsov

Aktivisti opozitar rus, Sergei Udaltsov, është arrestuar sot për një kohë të shkurtër nga ana e policisë së Moskës, derisa protestonte para ndërtesës së Dumës ruse, që është Dhoma e ulët e parlamentit.

Bashkëshortja e Udaltsovit, Anastasia Udaltsova, ka shkruar në rrjetin Twitter, se policia e dërgoi Sergein në një stacion të afërt.

Pas 90 minutash, policia e liroi Udaltsovin.

Sergei Udaltsov ka shkruar në rrjetin Twitter se ai dhe aktivisti, Aleksei Vorontsov, ishin liruar pas asaj që ai e përshkroi si “bisedime preventive” me policnë.

Udaltsov dhe Vorontsov, ishin duke demonstruar afër Dumës ruse, duke kërkuar amnisti për të burgosurit në gjithë Rusinë, lidhur me 100 vjetorin e Revolucionit të Tetorit, që i solli bolshevikët në pushtet në vitin 1917.

Udaltsov është liruar nga burgu më 8 gusht, pasi i ka kaluar 4,5 vjet burg, për shkak të rolit të tij në organizimin e protestës në maj të vitit 2012, kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe qeverisë së tij në Sheshin Bolotnaja në Moskë.

Në korrik të vitit 2014, Udaltsov ishte dënuar për organizim të “çrregullimit masiv” lidhur me këtë protestë, që shpërtheu në dhunë, ndërsa demonstruesit dhe policia kanë bërë akuza reciproke për fajësi.

XS
SM
MD
LG