Ndërlidhjet

Qeveria e re e Kosovës duhet të ndjekë disa hapa nëse është e interesuar që t’i rikthejë negociatat me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare, thonë analistët politikë në Prishtinë.

Zhbërja e marrëveshjes aktuale apo edhe dërgimi i saj në arbitrazh ndërkombëtar, konsiderohen si hapat e domosdoshëm që mund të ndiqen.

Por, meqë bëhet fjalë për një marrëveshje ndërkombëtare, sipas analistëve, në këtë proces duhet të përfshihet edhe Qeveria e Malit të Zi.

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane tha për Radion Evropa e Lirë se nëse një palë nuk është dakord për ta diskutuar sërish çështjen e kësaj marrëveshjeje, atëherë ka instanca të tjera të cilat mund të përfshihen.

"Nëse Mali i Zi i ka kryer procedurat e brendshme dhe nëse ka vullnet edhe nga pala e tyre për ta ri-negociuar një tekst të tillë, atëherë është çështje tjetër, sepse vjen në shprehje vullneti i të dyja palëve. Kjo mund të ndodhë. Por, nëse pala malazeze nuk dëshiron, atëherë nuk mund të ndodhë që ne të vijmë deri te një version tjetër dhe ta ratifikojmë atë në Kuvend, pa pëlqimin e palës tjetër", tha Ujkani.

Nga ana tjetër, njohësi i zhvillimeve politike, Vigan Qorolli, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës tha për Radion Evropa e Lirë se për të shkuar përpara lidhur me çështjen e demarkacionit, Kosova ka mundësinë që fillimisht ta refuzojë në Kuvend marrëveshjen e nënshkruar me Malin e Zi në vitin 2015 dhe më pas të hapë rrugë kushtetuese dhe ligjore që të kërkojë negociata të reja me Podgoricën.

"Anulimi i marrëveshjes nga ana e Kosovës do t’i hapte rrugë negociimit të një marrëveshjeje të re me Malin e Zi, sepse pa pajtimin e dy palëve nuk do të ketë mundësi të caktimit të kufijve të ri. Versioni ekzistues i komisionit Meha të refuzohet me votë, për çka qeveria Haradinaj duhet ta njoftojë zyrtarisht Malin e Zi", tha Qorolli.

Arbitrazhi ndërkombëtar për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi mund të vijë në shprehje si opsion nëse institucionet e Kosovës dështojnë përfundimisht që ta ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin.

Ujkani thotë se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi nuk është çështje shumë problematike që nuk mund të zgjidhet vetëm mes dy shteteve, Kosovës dhe Malit të Zi.

Qorolli thotë se nëse çështja e demarkacionit shkon në arbitrazh, nuk mund të zgjasë shumë, pasi që palët do të caktonin kohën se kur mund të përfundonte procesi.

"Çështja mund të zgjasë jo më pak se gjashtë muaj dhe jo më shumë se 12 muaj. Pasi kjo çështje të marrë epilogun, palët do të duhej ta respektojnë vendimin e arbitrazhit dhe ta zbatojnë", tha Qorolli.

Zgjidhja më e mirë, sipas analistëve do të ishte që Prishtina dhe Podgorica së bashku ta adresojnë çështjen tek arbitrazhi ndërkombëtar, nëse nuk arrijnë marrëveshje dy-palëshe.

Sidoqoftë, edhe nëse nuk ka pajtim që ta dërgojnë si dy shtete çështjen në arbitrazh ndërkombëtar, mundësitë janë që vetëm njëra qeveri ta bëjë këtë.

Ndryshe, Prishtina dhe Podgorica nënshkruan Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015, në praninë ndërkombëtare. Mali i Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, por jo edhe Kosova. Kjo marrëveshje më pas u shndërrua në një kusht nga Bashkimi Evropian për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri i sapo zgjedhur, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar Komisionin shtetëror për shënjimin e vijës kufitare dhe ka emëruar ish-deputetin Shpejtim Bulliqi në krye të tij.

Haradinaj dhe Bulliqi njihen si dy kundërshtuesit më të zëshëm të versionit aktual të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG