Ndërlidhjet

Policia konfiskon nga Kryqi i Kuq i Serbisë material për regjistrimin e popullsisë


Policia e Kosovës - Rajoni i Mitrovicës

Policia e Kosovës ka njoftuar në lidhje me kontrollet që u janë bërë hapësirave që shfrytëzohen nga Kryqi i Kuq i Serbisë në disa qytete të Kosovës.

“Drejtoritë Rajonale të Policisë kanë angazhuar zyrtarët policor sipas vlerësimeve të tyre, ku gjatë realizimit të kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dokumente të ndryshme të cilat dyshohet se janë përdorur nga individë në këtë organizatë”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Dokumentacionet e konfiskuara, vijon komunikata, dyshohet se kanë të bëjnë me regjistrimin e popullsisë, “dokumentacione këto që vlerësohet të jetë të dyshimta dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi që regjistrimi i popullsisë bëhet nga institucionet kompetente të Kosovës”.

Policia e Kosovës gjatë këtij operacioni policor ka intervistuar disa individë që në momentin e kontrollimeve janë hasur në ato hapësira.

Ndërkohë, gjatë realizimit të operacionit policor në Mitrovicë-Veri, disa zyrtarë policor kanë pësuar lëndime pasi janë sulmuar nga disa persona të dyshuar, ndaj të cilëve është iniciuar rasti “sulm ndaj personit zyrtar”.

Policia e Kosovës, përfundon komunikata, është institucion i zbatimit të ligjit dhe mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të e saja ligjore.

XS
SM
MD
LG