Rregullatori i statistikave në Britani e ka akuzuar sekretarin e jashtëm, Boris Johnson, për pretendime mashtruese se me largimin nga Bashkimi Evropian, Britania do t’i ketë 475 milionë dollarë më tepër në javë për shpenzime në kujdesin shëndetësor.
Kjo e dhënë ishte përdorë si ilustrim në autobusët që përdoreshin nga fushata për largim të Britanisë nga BE-ja, para referendumit të mbajtur vitin e kaluar, raporton agjencia AP nga Londra.
Shefi i Autoritetit të Statistikave të Mbretërisë së Bashkuar, David Norgrove, e ka kritikuar zotin Johnson në një letër, duke thënë se ky është “keqpërdorim i madh i statistikave zyrtare”.
Zoti Johnson e ka akuzuar shefin e statistikave, David Norgrove, se i kishte shtrembëruar të dhënat që i kishte paraqitur në një artikull, por autoriteti statistikor sot e ka mbështetur qëndrimin e zotit Norgrove.