Ndërlidhjet

Applebaum: Lufta e Stalinit kundër Ukrainës ishte “gjenocid”


Historiania Anne Applebaum
Historiania Anne Applebaum

Autore: Natalya Golitsina

Në librin e saj të fundit, “Uria e Kuqe: Lufta e Stalinit Kundër Ukrainës”, historianja amerikane, Anne Applebaum, fituese e çmimit Pulitzer, ka hedhur dritë në njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e Ukrainës – uria vdekjeprurëse në periudhën 1932 – 33, të cilën ukrainasit e quajnë Holodomor.

Afro 4 milionë ukrainas janë vrarë gjatë kësaj urie, që ishte zbatuar nga diktatori i atëhershëm sovjetik, Josef Stalin, për ta eliminuar kërcënimin e perceptuar ndaj autoritetit qendror sovjetik.

Holodomor ishte krijuar qëllimshëm nga Stalini”, thotë për Radion Evropa e Lirë, historianja, Anne Applebaum, dhe shton se “në vitin 1932, fillimi i urisë më të gjerë sovjetike ishte shkaktuar nga kolektivizimi dhe politika e konfiskimit së drithërave”.

Mëtutje, Applebaum thekson se Stalini “kishte vendosur ta shfrytëzonte krizën, me qëllim që në mënyrë specifike ta kishte në shënjestër Ukrainën”.

Në atë kohë, siç shkruan në librin e saj të fundit, janë ndërmarrë disa masa që kishin ndikim në Ukrainë dhe ato janë kryer në të njejtën kohë. Këto masa ishin: regjistrimi në një listë të zezë të fermave të veçanta, pastaj qyteteve dhe fshatrave, rrethimi i kufirit, në mënyrë që njerëzit të mos mund të largoheshin nga Ukraina, masat speciale kundër institucioneve kulturore të Ukrainës dhe ato kundër gjuhës ukrainase.

Besoj se kjo kishte për qëllim që të vraheshin sa më shumë njerëz në Ukrainë dhe kjo ishte arritur dhe se Partia Komuniste e Ukrainës dhe Partia Komuniste Sovjetike e dinin se kjo po ndodhte...Po, kjo ishte një uri e qëllimshme”, thotë Anne Applebaum.

Për këtë uri, historianja Applebaum thotë se “Stalini ishte personalisht përgjegjës, por shumë njerëz të tjerë ishin përgjegjës, po ashtu, pasi uria ishte kryer me ndihmën e burokratëve ukrainas, Partisë Komuniste të Ukrainës dhe liderëve rusë dhe sovjetikë, që kishin ardhur në këtë vend nga jashtë”.

​Mëtutje, ajo shpjegon se me qëllim që të kryhej uria, që përfshinte largimin e ushqimit, e jo vetëm të drithërave, nga shtëpitë e njerëzve, pushtetit i duheshin shumë njerëz dhe rrjedhimisht “ka ekzistuar përgjegjësi e gjerë sociale”.

Lidhur me këtë çështje shpeshherë shtrohet pyetja se përse Stalini e kishte në shënjestër Ukrainën?

Stalini ishte i frikësuar nga kundër-revolucioni dhe ai ishte veçanërisht i frikësuar nga Ukraina, pasi atij u kujtohet se gjatë periudhës së luftës civile, ka pasur kryengritje të fshatarëve në Ukrainë. Në vitin 1932, ai e dinte se atje ka pasur kryengritje të armatosur kundër kolektivizimit në Ukrainë”, thotë Applebaum.

Sipas saj, afro 4 milionë njerëz kanë vdekur në Ukrainë nga pasojat e Holodomorit.

Ishte vështirë të llogariteshin numrat meqë sistemi sovjetik ishte përpjekur për ta fshehur urinë, menjëherë pasi ajo kishte ndodhur, bile edhe në atë masë sa që është fshehur regjistrimi, i cili ishte kryer në vitin 1937, i cili tregonte për një numër të madh të të vdekurve. Megjithatë, një ekip i demografëve të Ukrainës aktualisht ka paraqitur, besoj përfundimisht, numra shumë të saktë”, thotë Applebaum.

Megjithatë, ka pasur debat të gjerë nëse periudha e Holodomorit mund të konsiderohet gjenocid.

Por, historianja amerikane, Anne Applebaum, thotë se “jam shumë e kënaqur që ta quaj këtë gjenocid, në harmoni me defininim origjinal, që ishte zbuluar nga juristi, Raphael Lemkin, dhe në esencë ishte gjenocid”.

Për çfarë arsye Holodomori është një kaptinë aq e rëndësishme në historinë e Ukrainës dhe pjesë e pandashme e identitetit kombtar ukrainas?

Holodomori, për të cilin kishte shtypje dhe nuk mund të flitej për këtë çështje, pjesërisht u shndërrua në jë kulturë të nëntokës në Ukrianë. Njerëzit flisinin fshehtas për këtë çështje dhe tregimi transmetohej prej prindërve te fëmijët. Diaspora ukrainase filloi të fliste dhe të shkruaj për këtë çështje, veçanërisht pasi ishte mundësuar largimi masiv nga vendi në vitet e 40-ta dhe të 50-ta. Holodomori u bë një lloj i simbolit të historisë së pashkruar ukrainase”, thotë Applebaum.

Pra, sipas asaj që shkruan në librin e saj të fundit, Applebaum konsideron se Ukraina paraqiste sfidë për Stalinin. A mund të bëhet ndonjë paralele aktuale me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin?

Mendoj se për Putinin, Ukraina paraqet sfidë pak a shumë ashtu sikur që sovraniteti i Ukrainës ishte sfidë për Stalinin. Pavarësia e Ukrainës, po ashtu, paraqet sfidë për Putinin, e veçanërisht Ukraina që është proevropiane, demokratike, që beson në lirinë e të shprehurit dhe në sundimin e ligjit. Të gjitha këto janë ideale, pjesë e vlerave dhe ideve që paraqesin kërcënim për Putinizmin, pasi Putinizmi është një autokraci oligarkiste, e cila do të kishte probleme sikur të ekzistonte liria e plotë e shprehjes, liria e shtypit dhe sundimi i ligjit”, thotë Anne Applebaum, në intervistën për Radion Evropa e Lirë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG