Ndërlidhjet

Sinjal se mund të refuzohet rasti kundër ndalesës së zgjeruar të Trumpit


Pamje e ndërtesës së Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara në Uashington

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara mbrëmë ka sinjalizuar se mund ta refuzoj kërkesën për kushtetutshmëri të ndalesës së udhëtimit të presidentit, Donald Trump, pasi ai e ka zgjeruar atë, duke i përfshirë edhe dy vende që nuk kanë shumicë myslimane.

Gjykata Supreme i ka anuluar argumentimet gojore, që ishin paraparë për 10 tetor, lidhur me çështjen nëse ndalesa origjinale e udhëtimit me përfshirjen e vetëm gjashtë vendeve me popullatë shumicë myslimane ishte diskriminuese.

Ky urdhër ka skaduar para dy ditësh.

Gjykata ka kërkuar nga palët që t’i paraqesin opinionet e tyre se nëse rasti kundër urdhrit original është tejkaluar me ngjarjet më të reja dhe duhet të refuzohet.

Me urdhrin e ri përfshihen edhe Koreja Veriore dhe Venezuela dhe pesë shtete që ishin edhe në urdhrin original: Irani, Libia, Somalia, Siria dhe Jemeni.

Kufizimet për shtetasit e Sudanit janë tërhequr, ndërsa shtetasit irakianë ballafaqohen me kontroll të ashpërsuar ose verifikim, por nuk janë subjekt i ndalesës së udhëtimit. Në këtë listë është shtuar edhe Çadi.

Kufizimet e reja do të hyjnë në fuqi më 18 tetor.

Gjatë një postimi në rrjetin Twitter, presidenti amerikan, Donald Trunp, ka shkruar se “bërja më të sigurt e Amerikës është prioritet numër një për ne. Ne nuk do t’i pranojmë në vendin tonë ata aë nuk mund t’i verifikojmë në mënyrë të sigurt”.

Por, kritikët thonë se përfshirja e disa vendeve të reja në urdhrin e ri duket se është kryesisht simbolike dhe ka për qëllim që t’i kundërshtoj perceptimet se në shënjestër të urdhrit janë myslimanët.

XS
SM
MD
LG