Ndërlidhjet

Putin dhe Erdogan do të diskutojnë për Sirinë dhe Irakun


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan (majtas) dhe presidenti rus, Vladimir Putin (djathtas), gjatë një takimi në samitin G-20 të këtij viti në Gjermani

Presidenti rus, Vladimir Putin do të takojë në Ankara homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, për të biseduar rreth Sirisë dhe Irakut.

Vizita një ditore e Putinit në kryeqytetin turk, vjen pas tri ditësh prej kur të dy liderët kanë biseduar përmes telefonit rreth referendumit kundërthënës për pavarësi, në rajonin autonom të kurdëve në Irak.

"Rusia dhe Turqia janë duke bashkëpunuar shumë ngushtë", ka thënë zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov.

Peskov ka thënë më 27 shtator se vizita e Putinit ka "qëllime pragmatike", duke shtuar se dy shtetet zhvillojnë, "bashkëpunim shumë të ngushtë", në tregti, investime kulturore, bashkëpunime rreth ushtrisë dhe fusha të tjera.

Ai ka thënë se të dy palët do të "sinkronizojnë pikëpamjet e tyre në këto çështje".

Presidentët do të takohen gjatë një darke pune dhe do të mbajnë një konferencë për shtyp në pallatin e Erdoganit, ka njoftuar presidenca turke përmes ueb faqes.

Turqia e ka dënuar referendumin e kurdëve të rajonit të Irakut, duke e akuzuar liderin kurd, Masud Barzani për "tradhti".

Ankaraja e ka cilësuar këtë referendum si rrezik për sigurinë e saj kombëtare, duke u frikësuar se ky hap mund të nxisë separatizëm në mesin e popullatës së saj kurde.

Zyrtarë në Ankara kanë thënë se presidenti turk, Erdogan dhe ai rus, Putin, kanë diskutuar për këtë referendum gjatë bisedës telefonike më 25 shtator, dhe janë pajtuar se votimi ndikon në integritetin territorial të Irakut dhe Sirisë.

Autoritetet zgjedhore në rajonin e Kurdistanit kanë thënë se referendumi për pavarësi ka kaluar me mbështetje prej 92 për qind.

XS
SM
MD
LG